Kryeministri Albin Kurti ka folur për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” për shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se ky projekt ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur por tani Kosova ka një qeveri të re.

”Projekti dështoi, por ideja nuk ka vdekur. Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjidhje të tilla për shkëmbimin e tokës do të hapnin kutinë e Pandorës”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet me parime të qarta.

“Nuk jam kundër dialogut me Serbinë, por ai duhet të zhvillohet me parime të qarta, të cilat janë të obligueshme për të dy palët. Serbia duhet të pranojë realitetin, Kosova është shtet i pavarur. Dhe ne nuk mund të kthehemi në kohën e Millosheviçit. Sa më parë që e pranojnë këtë, aq më mirë për të dy palët”, tha Kurti për “Süddeutsche Zeitung

Kurti deklaroi se Richard Grenell, i Dërguari Special i Presidentit Trump ka sjellë energji të re në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Albin Kurti: ”Ai ka sjellë energji të re në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë nuk mendoj se ai ka qëllime të këqija. Por tani që ekziston një qeveri e re në Kosovë, negociata të tilla nuk mund të zhvillohen midis presidentëve. Qeveritë e zgjedhura duhet ta bëjnë këtë.”

I pyetur se cili flamur do të valëvitej në institucionin e BE pasi vendet e Ballkanit Perëndimor të ishin pjesë e unionit, Kurti u shpreh se më e rëndësishmja është të shikohet flamuri i përbashkët europian ku njerëzit të kenë punë, prosperitet dhe të lëvizin lirshëm.

Ndërsa për idenë e tij për Shqipërinë e bashkuar, ai tha se gjithçka duhet të bëhet në mënyrë paqësore, demokratike dhe transparente.

SZ: Thuhet se Kosova dhe pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. Cili flamur do të valëvitet më pas mbi ndërtesat qeveritare në Prishtinë në 2030?

Albin Kurti: ”Unë mendoj se do të shohim flamurin evropian dhe më e rëndësishmja, ne do të shohim njerëz që kanë punë, jetojnë në prosperitet dhe lëvizin lirshëm në kontinentin Evropian.”

SZ: Pranë flamurit të BE-së do valëvitet flamuri aktual i Kosovës apo flamuri shqiptar me shqiponjën dykrenare në të zezë dhe të kuqe? Ju gjithmonë jeni shprehur pro një Shqipërie të bashkuar, për shembull bazuar te një referendum në të dyja vendet. A nuk do të hapte edhe një kuti Pandora?

Albin Kurti: ”Të lejosh njerëzit të votosh është e ndryshme nga të vepruarit si gjeneralët në Luftën e Parë Botërore. Gjithçka duhet të bëhet në mënyrë paqësore, demokratike dhe transparente. Atëherë është në rregull.”

Loading...