Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dikasteri të cilin e drejton ajo, e ka për obligim mbikëqyrjen e punës së noterëve, përmbaruesve dhe ndërmjetësuesve

Në një postim në Facebook, Haxhiu ka shkruar se qytetarët duhet t’i adresojnë në Ministrinë e Drejtësisë ankesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me shkeljen e detyrave të përmbaruesve dhe noterëve.

“Gjatë këtyre ditëve, kam parë shqetësime të qytetarëve lidhur me shkeljen e detyrave nga disa përmbarues dhe noterë. I lutem të gjithëve që secilën ankesë ta formalizojnë e procedojnë në Ministri të Drejtësisë. Secilën ankesë do ta adresojmë dhe nuk do ta neglizhojmë sikur ka ndodhur në të kaluarën”, ka shkruar Haxhiu.

Tutje ministrja Haxhiu shkruan se noterët dhe përmbaruesit duhet të veprojnë në bazë të ligjit dhe nuk duhet t’i tejkalojnë kompetencat e tyre.

“Secili prej nesh, përfshirë edhe përmbaruesit dhe noterët, duhet të veprojmë vetëm në bazë të ligjit dhe nuk duhet të ketë tejkalim të kompetencave. Tejkalimin e kompetencave, abuzimin e tyre apo moszbatimin e detyrave, nuk do ta tolerojmë”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin social Facebook

Loading...