Kompania Fiat Chrysler thotë se ndikimi nga epidemia e koronavirusit mund të ndalojë prodhimin në një prej fabrikave të saja evropiane brenda katër javëve.

Firmat e automjeteve janë në gjendje alarmi rreth prridhjes së mundshme në fabrikat dhe tek furnizuesit kinezë, por paralajmërimi i Fiatit është i pari që vë në pah ndikimin në Evropë, raporton BBC.

Sipas “The Guardian”, Fiati tha se mund të detyrohet të ndalojë prodhimin në një prej katër fabrikave evropiane nëse furnizimi me pjesë nga Kina vazhdon të jetë me probleme.

Virusi u shfaq në Wuhan, vend i shumë firmave të mëdha të automjeteve.

Nissan, General Motors, Honda, Renault dhe PSA janë në mesin e kompanive me fabrika të mëdha në provincën Hubei dhe në qytetin Wuhan, i cili është futur në karantinë të plotë që nga janari.

Megjithatë, edhe operacionet e industrisë motorike jashtë rajonit mund të çrregullohen teksa masat për kontrollin e epidemisë po forcohen.

Mendohet se Volkswageni i Gjermanisë ka rreth 40 fabrika në Kinë që prodhojnë vetura dhe pjesë për to.

Me dhjetëra kompani kanë këshilluar konsumatorët dhe investitorët të presin çrregullime që mund të godasin edhe përfitimet e tyre. Kompani si Nike, Adidas, H&M, Gap dhe Boss kanë mbyllur dyqanet në Kinë.

Disney tha se qarkullimi i humbur në parkun e saj të lojërave në Kinë i ka kushtuar rreth 300 milionë dollarë. McDonald’s dhe Starbucks po ashtu i kanë mbyllur disa prej lokaleve atje, ndërsa Ikea ka mbyllur rrjetin e saj në Kinë.

Apple i është bashkuar prodhuesve të makinave në parashikimin e ndikimit në zinxhirin e saj të furnizimit.

Loading...