Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola ka mbajtur takim me lojtarët pas dënimit nga UEFA.

Spanjolli i ka kërkuar lojtarëve të mos japin interviste dhe të mos dalin nëpër ngjarje publike për dy javët e ardhshme.

Manchester City u dënua më 14 shkurt nga UEFA me pezullim nga garat evropiane për dy sezonet e ardhshme, 2020/21 dhe 2021/22, si dhe u ndëshkua me 30 milionë euro gjobë, pasi që i shkeli rregullat e UEFA-s për ndershmëri financiare (FFP).

Dhoma Hetuese e UEFA-s gjeti dëshmi se klubi kishte gënjyer në raporte financiare për paratë e dhuruara nga sponsorët nga viti 2012 deri në vitin 2016, duke thënë se sponsorët kishin dhuruar më shumë para sesa që kishin dhuruar në të vërtetë vetëm sa për t’i mbuluar shpenzimet.

Pas këtij dënimi, Guardiola e thirri një takim urgjent me skuadrën dhe stafin e Manchester Cityt të shtunën në qendrën stërvitore. Stërvitjet ishin planifikuar të nisnin në orën 15:00, mirëpo të gjitha shkuan më herët për ta mbajtur një takim, ku Guardiola ua parashtroi disa kërkesa lojtarëve të tij.

Strategu spanjoll u kërkoi lojtarëve të jenë sa më profesionistë dhe të përgjegjshëm gjatë dy javëve të ardhshme, të mos shkojnë nëpër evente publike, të mos bëjnë intervista dhe të përgatiten për ndeshjet e radhës.

Loading...