Anëtarët e Komisionit kuvendor për mundësi të barabarta të grave dhe burrave sot miratoi Plan për aktivitete për avancim të ndjeshmërisë gjinore të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut 2020 – 2021, duke ua lënë amanet deputetëve të përbërjes së ardhshme t’i zbatojnë aktivitetet e parapara me Planin e Aksionit.

Është konkludim i përgjithshëm se Maqedonia është lidere në rajon e më gjerë rreth çështjes së ndjeshmërisë gjinore, por se, siç tha sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova në debatin e sotëm publik “nuk jemi aq të bukur në pasqyrë siç e shohim ne veten tonë”.

“Duhet bërë akoma shumë për të thënë se kemi ndjeshmëri gjinore. Për këtë nevojitet vullnet politik, mbështetje nga organizatat ndërkombëtare, si dhe nga shërbimi në Parlament”, tha Ivanova.

Ajo, si dhe disa deputete të tjera dhe përfaqësuese të sektorit qytetar edhe njëherë iu bënë thirrje grave politikane të angazhohen për propozimin 50:50, përkatësisht gratë në listat parlamentare, por edhe në zgjedhjet lokale të jenë të përfaqësuara njejtë si edhe burrat. Gjithashtu disa nga deputetet konsiderojnë se duhet të mbahet llogari jo vetëm për përfaqësimin por edhe për cilësinë e kandidatëve që janë në lista, pa dallim nëse bëhet fjalë për burra apo gra.

Plani parasheh më shumë aktivitete për ndjeshmëri gjinore në Parlament, si legjislaturë gjinore të sensibilizuar, menaxhimi me resurset njerëzore, veglat për shërbimet kuvendore në mënyrë që të mund ta garantojnë atë, ndërkaq mes më të rëndësishmeve është buxhetimi gjinor.

Ivanova tha se në pjesën e shërbimeve, tani kur do të miratohet Ligji për Kuvendin, do të përgatitet sistematizim i ri në të cilin do të parashihet vendi i punës – këshilltar për legjislaturë gjinore.

Plani parasheh gjithashtu njëherë në vit të mbahet sesion plenar në të cilin do të diskutohet për çështje lidhur me ndjeshmërinë gjinore, e gjithashtu është paraparë vendosje e çmimit vjetor për arritje në këto çështje.

Kryetarja e Komisionit për mundësi të barabarta të burrave dhe grave, Daniella Rangellova tha se, edhe pse 38,3 për qind e deputetëve në Kuvend në këtë përbërje janë gra, tek to mungon ndjeshmëria gjinore dhe se u nevojitet inkurajim më i madh për të vepruar në mjediset dhe partitë e veta.

“Dëshirë e imja është, tha ajo, të plotësohet kuota 50:50”.

Rangellova ua la amanet deputetëve të përbërjes së ardhshme rritjen e ingerencave të Komisionit për mundësi të barabarta, i cili nuk ka të drejtë të organizojë debate mbikëqyrëse e as të shqyrtojë ligje të cilat janë të lidhur me çështje të mundësive të barabarta.

Ambasadori i OSBE-së në Maqedoninë e Veriut, Klemens Koja theksoi se nga sesioni i sotëm Plani do të bëhet plan strategjik kyç për ndjeshmëri gjinore të Parlamentit. Me ndihmën e OSBE-së u përgatit Raport për gjendjen me ndjeshmërinë gjinore në Parlament me qëllim të përmirësimit të gjendjes dhe veprimit të drejtë në të ardhmen.

Savka Todorovska nga Këshilli nacional për barazi gjinore kërkoi nga përfaqësueset e partive politike dhe të organizatave ndërkombëtare të lobojnë në partitë politike në mënyrë që të arrihet që gratë dhe burrat të jenë njejtë të përfaqësuar në listat për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Loading...
Global