Arrin në 22 bilanci i të vdekurve në Turqi nga tërmetit prej 6,8 ballë që goditi mbrëmë rajonin Sivrixhe në Elazıg të Turqisë, ku u rrënuan dhe u shkatërruan numër i madh i ndërtesave. Agjencia turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD), njofton se kanë arritur të shpëtojnë mbi 40 persona, ndërsa më shumë se 1030 të tjerë janë të lënduar. Edhe sot vazhdojnë aksionet e kërkim-shpëtimit nën rrënoja në ndërtesat në qendrën e qytetin Elazıg. AFAD ka bërë të ditur se në rajonin e përfshirë nga tërmeti, janë dërguar 235 mjete, 18 qen shpëtimi dhe gjithsej 1.167 persona për kërkim-shpëtim nga institucione të ndryshme dhe ekipe mjekësore, të cilat do të jenë të angazhuara 24 orë. Mediat transmetojnë pamje kur ekipet e shpëtimit nxjerrin nga rrënojat persona të gjallë edhe pas 17 orëve nën rrënoja, por edhe komunikimin e ekipeve të shpëtimit me të ngujuarit.

Azize të lutëm fol me të gjithë që janë aty. Thirri emrat të gjithëve dhe mos lerë njeri të flejë gjumë. Ti je shpresa jonë e vetme aty. Ke fëmijët aty, bëhu e fortë për ta. Thuaji të marrin frymë me hundë dhe ta nxjerrin me gojë. Rrini të qetë sepse ne jemi këtu sipër. Po punojmë për t’ju shpëtuar – u shpreh një përfaqësuese e ekipeve të shpëtimit.

Deklarimin e parë pas tërmetit, Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e ka pasur në rrjetet sociale ku ka shkruar se ekipet përkatëse po marrin të gjitha masat e nevojshme për tu dalë në ndihmë banorëve.

Ekipet përkatëse po marrin të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e jetës së qytetarëve tanë dhe për të kapërcyer me sa më pak humbje tërmetin në Elazëg i cili u ndje edhe në shumë provinca të tjera. Si presidenti i Turqisë, dëshiroj të jeni në dijeni se po ndjekim nga afër punimet. Ndodhemi pranë popullit tonë me të gjithë organizatat dhe institucionet tona, kryesisht AFAD dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke – tha Rexhep Taip Erdogan, President i Turqisë.

Pas njoftimeve të para për tërmetin shkatërrues në Turqi, pasuan edhe reagimet e para në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje me ndihma për Turqinë, si nga përfaqësuesit e shteteve fqinje, ashtu edhe nga ata të rajonit. Turqia edhe më parë ka qenë e goditur nga tërmete të fuqishme. Në vitin 1999, në qytetin Izmit, nga tërmeti i fuqishëm prej 7.6 ballë e humbën jetën 17 000 personave ndërsa rreth gjysmë milioni njerëz la pa çati mbi kokë.

Mefail Ismaili

Loading...

Comments are closed.