Kryeministri Zoran Zaev, para fillimi të takimit të liderëve të kryetarëve të shteteve anëtare të NATO-s, për MIA deklaroi se kjo për të paraqet moment historik, kur për herë të parë Maqedonia e Veriut, do të ulet në vendin e saj, si shtet anëtar i Aleancës.

“Për mua kjo është moment historik, pasi që më në fund 70-të vjetori i NATO-s, po mbahet me shtetin e 30-të anëtar”, tha Zaev për MIA-n.

Protokolli aderues tashmë është nënshkruar nga të gjitha shtetet anëtare, përveç Spanjës, e cila për shkaqe teknike, si rezultat i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende nuk e ka miratuar Protokollin në Parlamentin e saj. Ajo pritet që vendimin ta finalizojë gjatë dy muajve të ardhshëm. Mirëpo, flamuri i Maqedonisë së Veriut, në Samitin e NATO-s, në Londër, valëvitej përskaj 29-të shteteve tjera anëtare të Aleancës. Po ashtu edhe kryeministri Zoran Zaev, do të qëndroj krah për krah me liderët tjerë të NATO-s, në takimin i cili pritet të mbahet sot.

“Ne do të jemi prezent në takimet kryesore me të gjithë liderët. Unë do të kem fjalim tim, ashtu siç do të kenë edhe liderët tjerë. Kjo është një moment historik. Pres që populli ynë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të jetë i gëzuar për këtë moment historik. E arritëm njërën prej përcaktimeve strategjike të shtetit tonë, që nënkupton paqe të vazhdueshme, liri, demokraci, si dhe siguri dhe menjëherë pas kësaj investime dhe rroga më të larta, gjegjësisht më shumë shpresë që të rinjtë të qëndrojnë në shtet”, tha Zoran Zaev.

NATO, në Samitin e Londrës, sot e shënon 70-të vjetorin e ekzistimit të saj. Ndryshe, edhe pse ky Samit duhej të ishte ceremonial, tensionet mes SHBA-së, Francës dhe Turqisë, rreth raporteve drejt Rusisë, kontributi buxhetor për Aleancën, çështjet e grupeve kurde në Irak dhe Siri, dhe lufta kundër terrorizmit, padyshim do të zënë hapësirë të madhe në diskutimet e sotshme.
Deklarata e presidentit të Francës, Emanuel Makron, e dhënë për javoren britanike “Ekonomist”, shkaktoi një sërë reagimesh negative në Evropën Lindore dhe në Gjermani, kryesisht rreth aluzioneve për afrim drejt Rusisë, si dhe vlerësimi për “vdekje klinike”, të Aleancës.

Makron, mbrëmë u takua me presidentin e SHBA-së, Donald Tramp, dhe pas këtij takimi ai nuk reteroi. Ndërkohë, presidenti amerikan Tramp, pas takimit disaorësh porositi se deklaratat e Makronit janë “të pahijshme”. Reagime të ashpra erdhën edhe nga presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili ditë më parë i rekomandoi Makronit, ta “kontrollojë vdekjen e vet klinike”, deklaratë kjo e cila nga Trampi u vlerësua si “interesante”.

Vërejtja kryesore e Makronit, ndaj Ankarasë dhe Uashingtonit, është që ata nuk janë konsultuar me shtetet tjera aleate gjatë sulmit në veri të Sirisë, duke shprehur shqetësim për forcat kurde në Irak dhe Siri, të cilat perëndimi i vlerëson si aleat të saj. Nga ana tjetër, Erdogani vlerëson se bëhet fjalë për “grupe terroriste” dhe e kushtëzoi Aleancën, se mbështetja e tij për aktivitet e NATO-s, në Baltik kundër Rusisë, do të kushtëzohet me pranimin nga perëndimi se kurdët janë terroristë.

Tutje, presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, edhe më tej është plotësisht i fokusuar në nevojën që të gjitha shtetet aleate t’i rrisin të hyrat e tyre buxhetore drejt NATO-s, me dy për qind nga Bruto Prodhimi Vendor, sa është e mundur më shpejtë, gjegjësisht më së voni deri në vitin 2024, ashtu siç janë dakorduar në Samitin e vitit 2014-të.

Kryeministri Zoran Zaev, mbrëmë në Konferencën “NATO angazhohet”, në margjinat e këtij Samiti, u angazhua për arritjen e shkallës prej dy për qind deri në vitin 2024. Ai përkujtoi se shteti ynë gati e ka dyfishuar shkallën e saj gjatë tre viteve të fundit, nga 0,9 për qind në vitin 2017, deri në 1,4 për qind që pritet të ndodhë në vitin 2020.

Loading...
Global