Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, përballet me presionin e madh të “krahut urban” brenda partisë së tij, i udhëhequr pjesërisht nga zv/kryetarja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska e pjesërisht nga ish-lideri Branko Cërvenkovski. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, i forcoi pozitat e partisë pas rezultatit të kënaqshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Por, strukturat e vjetra të partisë dhe fraksionet e shumta mund ta rrëzojnë nga “froni” nëse nuk do të arrijë ta kthejë partinë në pushtet. I pari i BDI-së, Ali Ahmeti, duket se po vrapon rrethin e 11-të, mbase të fundit të maratonës së tij politike. I sfiduar seriozisht nga opozita, ai dëshiron që karrierën politike ta përmbyll si fitues. Lideri i ASH-së, Ziadin Sela, do ta ketë rastin e fundit për të sfiduar rivalin e tij kryesor politik – Ahmetin. Edhe një disfatë nga Ahmeti do ta delegjitimonte Selën si lider i opozitës shqiptare.

Shkruan: Xhelal Neziri

Edhe këto zgjedhje pritet të jenë “jetë o vdekje” për aktorët e skenës politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Si të mos jenë të tilla kur janë të parakohshme apo të jashtëzakonshme. Nga viti 2006 vendi nuk ka pasur më zgjedhje të rregullta. Në atë vit janë mbajtur zgjedhjet e dyta të rregullta pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Pas një gjysmë mandati të qeverisjes midis VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së, po në vitin 2001 u formua qeveria e koalicionit të gjerë që reformoi Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor me qëllim që t’i organizojë zgjedhjet e rregullta në vitin 2002.

Nëse nuk do të shtyhen për në tetor, zgjedhjet e 12 prillit do të zgjedhjet e pesta të parakohshme radhazi. Zgjedhjet e para pa mbaruar mandatin u shpallën në vitin 2008, pastaj sërish në 2011, 2014 dhe në fund në 2016. Ky cikël i zgjedhjeve të shpeshta, të jashtëzakonshme, është një tregues për krizën e vazhdueshme politike në Maqedoninë e Veriut, e cila zgjat tash e 11 vite. Nisi me veton Greke për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, e përdorur në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, e vazhdoi me veton Franceze në Samitin e Këshillit të BE-së këtë vit në tetor, që pamundësoi vendin të fillojë bisedimet anëtarësuese me Brukselin.

Nëse në këto kriza politike e pëson shteti dhe qytetarët e saj, kjo jo doemos vlen edhe për politikanët. Në çdo krizë ata shohin mundësi për të përmirësuar pozicionet e tyre në skenë. E për këtë përherë kërkojnë zgjedhje të parakohshme, duke dashur kështu të dëshmojnë fuqinë e tyre dhe të përcjellin euforinë e fituesit te ndjekësit e tyre dhe te elektorati në përgjithësi.

Zgjedhjet e 12 prillit definitivisht do të jenë një përplasje tjetër zgjedhore, vendimtare për karrierat e figurave kyç të skenës politike të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, përballet me presionin e madh të “krahut urban” brenda partisë së tij, i udhëhequr pjesërisht nga zv/kryetarja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska e pjesërisht nga ish-lideri Branko Cërvenkovski. Pas dështimit të marrjes së datës për fillimin e negociatave anëtarësuese në BE, Zaev thuhet të jetë ballafaquar me kritika të mëdha për marrëveshjet e lidhura me Greqinë e Bullgarinë, si dhe për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me të cilin shqipja fiton statusin e gjuhës zyrtare. Këto tri momente, bashkë me aferat e shumta korruptive, kanë ndikuar në rënien e mbështetjes për LSDM-në kështu që disfata eventuale në zgjedhje do të thoshte fund politik për Zaevin dhe për krahun “rural” në parti.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, i forcoi pozitat e partisë pas rezultatit të kënaqshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Por, strukturat e vjetra të partisë dhe fraksionet e shumta mund ta rrëzojnë nga “froni” nëse nuk do të arrijë ta kthejë partinë në pushtet. Grupi Reformator i VMRO-DPMNE-së në krye me Petar Bogoevskin tanimë ka paralajmëruar partinë e re djathtiste “Koncepti Maqedonas”. Një hap të tillë pritet ta ndërmarrin edhe tetë deputetët e përjashtuar të kësaj partie, të cilët thuhet të kenë mbështetjen e njeriut më të fuqishëm në këtë parti në dekadën e kaluar – Sasho Mijalkov. Lideri i kësaj nisme politike djathtiste thuhet të jetë Minço Jançev, kryetar komune i Kavadarcit, njëri nga kryetarët më të suksesshëm të komunave në vend dhe njëkohësisht një biznesmen filantrop, i dashur për popullatën. Një tjetër fraksion brenda VMRO-DPMNE-së përbëhet nga njerëzit që ishin shtylla të partisë në dhjetë vitet e kaluara, e që janë margjinalizuar nga Mickovski – siç është Antonio Milloshovski apo Vlladimir Gjorçev. Të gjitha këto grupe mund të minojnë fitoren e parashikuar për VMRO-DPMNE-në më 12 prill dhe me këtë të hapin sërish temën e zgjedhjes së kryetarit të ri të subjektit politik.

I pari i BDI-së, Ali Ahmeti, duket se po vrapon rrethin e 11-të, mbase të fundit të maratonës së tij politike. I sfiduar seriozisht nga opozita, ai dëshiron që karrierën politike ta përmbyll si fitues. Deri më tani, ai ka udhëhequr partinë në tetë cikle zgjedhore – gjashtë parlamentare dhe katër lokale – duke ngadhënjyer në raport me konkurrentët veç e veç. Në 2016 shënoi rënien më të madhe të mbështetjes, por sërish doli me numër më të madh të deputetëve shqiptarë shkaku i pamundësisë së opozitës shqiptare që të bashkohet në një koalicion. Para disa viteve Ahmeti paralajmëroi se do të largohet nga kreu i BDI-së pas integrimit të vendit në NATO. Ky qëllim pritet të bëhet realitet në fillim të vitit të ardhshëm, kur edhe Spanja do të ratifikojë Protokollin e anëtarësimit, gjë që pritet të shënojë edhe garën për liderin e ardhshëm të BDI-së. Qëllimi i Ahmetit është të bëjë “exit” si fitues dhe të lë partinë në pushtet, me qëllim të parandalimit të çarjeve më serioze brenda subjektit. Humbja eventuale e zgjedhjeve do të ishte opsioni më i keq i mundur për të dhe partinë e tij.

Lideri i ASH-së, Ziadin Sela, do ta ketë rastin e fundit për të sfiduar rivalin e tij kryesor politik – Ahmetin. Sela dëshiron të arrijë atë që nuk pati sukses ta bëjë ish-lideri i tij, Menduh Thaçi, që nga 2002 e deri më tani. Edhe një disfatë nga Ahmeti do ta delegjitimonte Selën si lider i opozitës shqiptare dhe do të hapte debatin se kush duhet ta udhëheqë betejën politike kundër BDI-së.

Partitë PDSH, BESA dhe Alternativa duket se po kërkojnë mënyra se si të sigurojnë praninë e tyre në skenën politike, duke fituar kështu kohë për riorganizim dhe ringritje. Lideri i BESA-s, Bilall Kasami, duket se ballafaqohet me krizë për gjetjen e partnerit koalicionues. Krahu që u shkëput nga kjo parti – Alternativa e Afrim Gashit – duket se është më afër koalicionit parazgjedhor me LSDM-në, por njëkohësisht mban hapur edhe mundësinë e koalicionit me ASH-në e Selës. Afër një koalicionimi parazgjedhor me LSDM-në është edhe partia e Thaçit, e cila po ashtu ka lënë të hapur edhe mundësinë që me lista të përbashkëta të shkojë me BDI-në e Ahmetit.

Si rrallë herë në skenën politike, kësaj radhe ka shumë aktorë dhe po aq kombinime për bashkëpunime para ose paszgjedhore. Deri më tani vetëm dy bashkëpunime janë përjashtuar: BESA me Alternativën dhe ASH me PDSH. Me partitë etnike maqedonase çdo bashkëpunim është lënë i hapur, me ç’rast e bën këtë garë zgjedhore më të paparashikuar se kurrë më parë.

Loading...
Global