Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve L.U, D.M dhe F.B, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale Vrasje në tentativë nga neni 172 në lidhje me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Të pandehurve L.U, D.M dhe F.B iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç.

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 24.11.2019 rreth orës 19:30, në rrugën “Hys Popova” në Prishtinë, të pandehurit L.U, D.M dhe F.B të cilët ishin me automjetin Audi A8, në bashkëkryerje për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme në mes tani të dëmtuarit A.S dhe të pandehurit D.M, posa ishin takuar ne rrugë ku në automjetin Opel Zafira kishin qenë tani të dëmtuarit A.S, G.A dhe L.R, të pandehurit me automjetin e tyre fillojnë të ndjekin automjetin e të dëmtuarve dhe kur arrijnë tek kryqëzimi i rrugës “Hys Popova” gjuajnë në drejtim të automjetit ku ishin të dëmtuarit duke e qëlluar automjetin në xhamin e pasëm e cila predhë kishte depërtuar deri ne parafangon e parë ku vërehet drejtimi i predhës së fishekut kah kokat e të dëmtuarve dhe po ashtu kishin goditur edhe me një predhë në pjesën e pasme të bagazhit e cila mbetet në ulësen e pasme, me ç’ rast të dëmtuarit nuk kishin pësuar lëndime dhe kishin arritur të ikin, kurse edhe të pandehurit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve L.U, D.M dhe F.B është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, ashtu që nëse të pandehurit qëndrojnë në liri do të mund të përsërisnin veprat e njëjta apo të ngjashme penale.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Loading...
Global