Kryeministri grek Kirjakos Micotakis kërkoi që BE-ja të hapë negociata për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë javën e ardhshme, duke e akuzuar Francën për bllokimin e procesit. Në intervistën për Fajneshëll Tajms, Micotakisi e kritikoi vendimin e presidentit francez Emanuel Makron në tetor që ta bllokojë miratimin e datës për fillimin e negociatave.

“Shpresoj se ky gabim do të korrigjohet”, theksoi Micotakis. Vendimi i Makronit që të vendosë veto në zgjerimin e mëtutjeshëm të BE-së i hidhëroi kryeqytetet tjera, në mesin e të cilave edhe Gjermaninë, pohon Fajneshëll Tajms. Micotakisi i bëri thirrje Makronit që të shoh zgjerimin e BE-së drejtë Ballkanit Perëndimor si qëllim gjeopolitik, siç këtë e bënin pararendësit e tij në Paris në promovimin e anëtarësimit të Greqisë para katër dekadave.

“Nëse shohim kontekstin më të gjerë gjeopolitik, është shumë e qartë se duhet të ruhet rruga evropiane e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me kusht që t’i përmbushin kërkesat, sepse ky nuk është proces automatik. Nëse shohim disa elemente nga rrëfimi për Greqinë, në vitin 1979 Greqia u bë anëtare e Bashkësisë Evropiane Ekonomike, sepse një president francez, në atë kohë, solli vendim të guximshëm, duke e parë kontekstin më të gjerë gjeopolitik, se Greqia duhet t’i përkiste Evropës që të tejkalohet trauma nga junta. A ishte e gatshme Greqia për anëtarësim në atë periudhë? Kush e di”., deklaroi Micotakis.

Në pyetjen e Fajneshëll Tajms për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, Micotakisi thotë se vazhdon të shqetësohet për këtë çështje.

“Isha i shqetësuar, jam i shqetësuar dhe do të jem i shqetësuar. Dhe për këtë vlerësoj se vendimi i Këshillit Evropian duhet të shqyrtohet në vitin 2020”, deklaroi Micotakis.

Kryeministri grek, gjithashtu, e kritikoi deklaratën e Makronit se NATO-ja është në gjendje të vdekjes së trurit. Ai vlerësoi se edhe pse halle të caktuara të Makronit për Aleancën janë valide, megjithatë shprehja e përdorur është kundër produktive.

Loading...
Global