Bashkim Aliu

Të flasish për xhaminë, do të thotë të flasish për një institucion i cili prek çdo shtresë të shoqërisë, dhe reflekton me ndikimin e tij në të gjitha poret e jetës. Kjo, ngase xhamia nuk është thjeshtë një faltore ku kryhen vetëm lutje dhe adhurime në kuptimin e ngushtë të fjalës lutje dhe adhurim, apo falje, por xhamia ka një rol polidimensional, si për individin, ashtu edhe për shoqërinë.

Xhamitë janë vend ku drejtohen personat të cilët kanë probleme të ndryshme, qoftë të natyrës shoqërore, ekonomike, politike,familjare, shpirtërore etj. Në xhami, si më parë, gjegjësisht në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe shokëve të tij, poashtu edhe sot, shqyrtohen problemet e njerëzve dhe gjykohet për konteste të ndryshme. Imamët e xhamive, në xhami pranojnë palë të ndryshme, të cilat kanë probleme, i dëgjojnë hallet dhe dertet e tyre, i analizojnë problemet dhe kontestet të cilat i prezantojnë, dhe pastaj gjykojnë, apo japin udhëzime e këshilla për mënyrën e zgjidhjes së këtyre problemeve. Në kohën e Omerit r.a., kur janë emëruar edhe kaditë-gjykatësit në krahinat e shtetit islam, nuk ka patur rezidenca të veçanta ku gjykatësit do ta kryenin punën e tyre, gjegjësisht ku do t’i zgjidhnin kontestet mes njerëzve dhe do të merrnin vendime për çështje të ndryshme, por, këtë punë, gjykatësit e kanë kryer në xhami, ngase edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i ka pranuar palët e ndryshme, dhe i ka dëgjuar ankesat e tyre, ka gjykuar për konteste dhe ka kumtuar vendime në xhami.

Periudha e tranzicionit solli sfida të reja për popullatën muslimane në nënqiellin ballkanik. Periudha moniste akoma nuk u eliminua në tërësi, por, vetëm u ndrruan ngjyrat nga e kuqja në të kaltërt, ndërkaq,  disponimi antishqiptar dhe antiislam, vazhdoi të jetë tipar dallues i pushteteve, që në fakt, ishin vazhdimësi e pushtetit paraprak. Edhe në këtë periudhë kohore, identiteti ynë u gjind para sfidave të shumta, e po ashtu, edhe xhamia, pati rol vendimtar në mbrojtjen e identitetit  tonë, në veçanti në fushën e arsimit në rastin e Kosovës. Xhamitë e dhanë provimin e tyre në mbështetjen e arsimit shqip. Shumë xhami, mektebe dhe medrese, u shndërruan në hapësira universitare ku studentët zhvillonin mësim, krahas hapësirave tjera që u destinuan për këtë qëllim. Me pezullimin e institucioneve arsimore të Kosovës nga ana e pushtetit të dhunshëm serb, menjëherë u bë organizimi i popullatës shqiptare për mbështetjne e arsimit shqiptar në Kosovë, e xhamitë këtu kanë hise të madhe të kontributit të mundësimit të vazhdimësisë së procesit arsimor të të gjitha niveleve në Kosovë. Rast i njejtë ndodhi edhe me Universitetin e Tetovës, i cili u luftua nga organet shtetërore sllavo-maqedone, bile për ta mbrojtur këtë universitet të shqiptarëve në Maqedoni, u ekzekutua një i ri tetovar nga forcat e përziera policore sllave maqedono-serbe. Hapësirat e institucioneve fetare i hapën dyert për mësonjtoret dhe studentët e UT-së. Po ashtu, iniciativat e mbështetjes së arsimit shqip në Maqedoni, konkretisht mbështetja financiare e Universitetit të Tetovës, gjetën përkrahje pikërisht nga xhamitë. Xhamitë kanë qenë vendet që u kanë hapur mundësi krerëve të arsimit shqip të senzibilizojnë masën dhe t’i shpalojnë para opinionit qëllimet e ngritjes së institucioneve arsimore. Kështu, profesorë universitarë, intelektualë bile edhe vetë rektorët e universiteteve, kanë komunikuar me masën përmes xhamive. Pra, xhamitë kanë patur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit kulturor dhe intelektual të popullatës tonë.

Xhamitë dhe institucionet fetare, u treguan edhe me rastin e krizës së shqiptarëve të dëbuar me fuqi nga shtëpitë e veta në Kosovë nga ana e agresorit Serb në vitin 1998. Xhamitë u shndërruan në qendra të para pranimi, koordinimi dhe strehimi të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova me fuqi nga pushteti serbo-sllav. Krahas aspektit teknik, xhamitë kanë qenë vatra të vërteta frymëzimi për solidaritet të domosdoshëm me vëllezërit e dëbuar nga Kosova, ngase nga minberet dhe kursitë e xhamive, pa ndalë, është bërë thirrje për hapjen e dyerve të shtëpive për vëllezërit nga Kosova. Popullata jonë e kaloi me sukses të shkëlqyeshëm këtë provim, dhe me solidaritetin e vet e mahniti gjithë botën.

Roli humanitar i xhamisë në diasporë dhe i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër

Themelimi i xhamive në diasporë, ka qenë një nga hapat më të qëlluara të popullatës tonë për ta mbrojtur identitetin dhe për t’i kultivuar vlerat fetare dhe kombëtare te brezat e rinj. Xhamitë në diasporë kanë qenë institucionet më të rëndësishme të frymëzimit të popullatës muslimane dhe bartëse kryesore e aktiviteteve madhore që kanë qenë në funksion të kauzës tonë fetare dhe kombëtare, si dhe që kanë synuar ta mbrojnë indin fetar dhe kombëtar të popullatës tonë, në veçanti në aspektin arsimor, përmes mektebeve, dhe aspektin humanitar, përmes grumbullimit të ndihmave në mënyrë të vazhdueshme.

Xhamitë kanë qenë vatrat e vërteta të senzibilizimit të popullatës për nevojën e mbështetjes morale dhe materiale të luftës së drejtë të popullit tonë për liri dhe barazi. Theks i veçantë duhet vënë në solidarizimin me të dëbuarit me dhunë nga vatrat e tyre nga ana e pushtetit të dhunshëm serb në Kosovë. Xhamitë kanë qenë mbështetje e fortë e organizimit të përkrahjes materiale të të dëmtuarve nga terrori serb.

Xhamitë, krahas mbështetjes kulturore, arsimore, fetare, etj., kanë vazhduar të paraqesin adresën më të njohur edhe të humanizmit të diasporës dhe mbështetjes së nevojtarëve. Si në të gjithë diasporën, ashtu edhe në Zvicër, xhamitë shqiptare, kanë vazhduar të ofrojnë ndihma për nevojtarët në forma të ndryshme, si përmes grumbullimit të ndihmave gjatë gjithë vitit, për raste të ndryshme të njerëzve me nevoja sociale, shëndetësore, arsimore, etj., po ashtu edhe përmes aksioneve kolektive për raste të fatkeqësive të përmasave të gjëra, si: vërshimet, tërmetet, etj. Në këtë drejtim, me theks të veçantë, duhet të nënvizohen aksionet e përbashkëta të xhamive shqiptare nën ombrellën e Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, që pastaj u transformua në Unionin e Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, për solidarizim me të dëmtuarit nga vërshimet në Shkup, Tetovë dhe në rastin e fundit, me të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri. Po ashtu, vlen të theksohet edhe aksioni i xhamive shqiptare nën ombrellën e Unionit me të dëmtuarit nga aksioni policor në lagjen e trimave në Kumanovë. Bile, xhamitë shqiptare kanë ndihmuar edhe të dëmtuarit nga vërshimet e vitit 2014  në Bosnjë e Hercegovinë, nevojtarë në disa shtete afrikane duke hapur puse, në bashkëpunim me Islamic Relief, si dhe refugjatët sirianë në Zvicër. Po ashtu, edhe xhamitë e boshnjakëve dhe disa xhami të turqve dhe arabëve në Zvicër, iu bashkangjitën aksionit të Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri. Në arkivat e Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, në mes tjerash. i gjejmë këto shifra:

-60.000 sfr., mjete të grumbulluara në vitin 2014, për aksionin humanitar në Bosnjë dhe Hercegovinë.

-188.000 sfr., aksion humanitar në vitin 2015, për të dëmtuarit në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

-60.000 sfr., aksion humanitar në vitin 2015, për të dëmtuarit nga vërshimet në Malësinë e Tetovës.

-109.500 sfr., aksion humanitar në vitin 2016, për të dëmtuarit nga vërshimet në Hasanbeg të Shkupit.

-Mbi 200.000 sfr., aksion humanitar në vitin 2019, për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri.

Normalisht, këto ndihma të cilat kanë kaluar sasinë e gjysmë miljon franga zvicerane, janë një pjesë nga ndihmat e diasporës përmes xhamive, ngase ka patur edhe forma tjera të ndihmave nga diaspora. Meritat për këtë i ka populli në rend të parë, nën udhëheqjen e imamëve dhe drejtuesve të xhamive në diasporë.

Lusim Krijuesin fuqiplotë që t’ua lehtësojë dhimbjet dhe vuajtjet atyre që kanë pësuar nga fatkeqësitë, dhe t’ua bekojë e t’ua shtojë të mirat atyre që kontribuojnë.

 

Loading...
Global