Nga Arian Galdini

Shumë është shkruar e shumë është folur për dhjetorin, dhjetorët e dhjetoristët, vit pas viti në Shqipërinë e këtyre 29 viteve tranzicion dhe protodemokraci langaraqe.

Duke qenë se prej tërmetit vetëm këtë vit nuk pamë të ripërseritet rituali gati-gati i bezdisshëm kur televizionet e gazetat na rikujtojnë ato ditë të ladvishme të dhjetorit ’90 e do të na përdëllejnë me histori e kujtime protagonistësh apo expo-protagonistësh të atyre ditëve të rëndësishme për historinë moderne të vendit tonë, qëllimi im nëpërmjet këtyre rradhëve është që tu hedh një sy e ti qëmtoj nga një këndvështrim kritik ritualet e përvitshme, duke hapur kësisoj edhe një debat të madh publik, të thellë, të sinqertë e plot kurajo politike dhe intelektuale për dhjetorin dhe dhjetoristët.

Në fakt, që reflektimi të jetë i plotë nevojitet që në udhëtimin tonë meditativ ti përshkojmë të 2 dhjetorët e rëndësishëm të këtyre 29 viteve, dhjetorin ’90 dhe dhjetorin ‘98.

Për dhjetorin e tretë të 2018, le të flasin e shkruajnë forumsat e Organizatës Politite, VV, Lal Erit, LRI dhe FRPD.

Vija arsyetative që ne do të ndjekim më poshtë do të jetë pak a shumë nën këto dritëhije:

– Dhjetori ‘90 apo misioni i papërfunduar.

– Dhjetori ‘98 mundësia për të përmbushur dhe përmbyllur suksesshëm misionin e rrëzimit të vazhdimësive të komunizmit të shprehura nëpërmjet mentaliteteve të udhëheqësive dhe elitave bllokuese të tranzicionit, si edhe ndërtimit të një demokracie perëndimore reale, të sinqertë që nuk flet nëpërmjet indikatorëve por nëpërmjet shprehive, traditave, akteve, ligjësive dhe qytetarizimit.-

Dhjetori ‘90

Shumëkush ndër ne e ka fortësisht dhe drejtësisht të ngulitur në kujtesë dhjetorin ‘90 i cili në këto 29 vite ia ka dalë mbanë të krijohet dhe stabilizohet si një koncept themelor politik, madje tashmë mund të flitet se ka marë njohje ajo që njihet si fryma e dhjetoristëve.

Nën këtë frymë, pothuajse çdo vit, çdo dhjetor, nga forca të djathta apo të majta politike ose edhe nga grupime jo politike, ka pasur përpjekje për ritakim, ripërsëritje, apo tejkalim të atij momenti historik që solli dhjetori ’90, por ka qenë krejt e pamundur.

Sidoqoftë, bash 8 vite pas atij dhjetori historik u ndërmor një lëvizje e cila për fat të keq me qëllim apo krejt padashje është lënë ose ka kaluar në harresë.

Lëvizja e studentëve të dhjetorit të vitit ’98, nuk përkujtohet publikisht, ndërkohë që ai i vitit ’90, ka marrë dhenë dhe është mistifikuar.

Madje gazetarët dhe analistët e majmur të ketyre 30 viteve, pikërisht ata që e vrasin çdo ditë e çdo natë “dhjetorin 90”, duke u shërbyer një grushti politikanësh plaçkaxhinj, oligarkësh dhe krimit, na përdëllehen për dhjetorin e 2018, si një ngjarje e pazakontë, vetëm e vetëm sepse për elitat tona të ketyre 3 dekadave, ajo çka ndodhi prej studentëve, me studentët, në dhjetorin 2018, ishte në fakt nën kontrollin e plotë të Elitave 30 vjeçare politike.

Historitë personale dhe jo personale të protagonistëve të dhjetorit ’90, gëlojnë tashmë nëpër shkrime gazetash, libra me ose pa bashkautorë, kronika të pafundme lajmesh.

Lufta për dhjetorin ’90, është shndërruar në një luftë për pushtet e prestigj.

Turravrapi deri në marrje fryme të atyre që gulshojnë për të zënë një vend në histori është i pakrahasueshëm dhe i pangjashëm me asnjë rast e vend tjetër.

Të majtë e të djathtë shqyejnë copën e tyre të historisë ca mbi dhjetorin e vertetë e shumica mbi dhjetorin e majmë të krijuar vetë e çlirshëm prej tyre vit pas viti.

Madje na janë mësuar sytë të shohim herë pas here në data të caktuara kalanderike ata që njihen tashmë si komuniteti i dhjetoristëve ‘90, të cilët pushtojnë median sa majtas aq edhe djathtas.

Duket gati-gati qesharake, por këtyre ju duhet të presin 12 shtatorin, 8 dhjetorin dhe 20 shkurtin që të nxjerrin kokën e thonë ndonjë gjë nëpër media.

Me një veshtrim të imët dhe një matematikë e gjeografi të vogël idividësh të ekspozuar si dhjetoristë ‘90, del se shumë prej tyre kanë qenë krejt të paqartë në atë që po bënin në atë dhjetor që e shenjtërojnë sot deri në mërziti.

Madje për të mos u bërë kategorik e gabimisht përgjithësues por specifikisht duke dëgjuar dëshmitë kundërshtuese apo shumëngjyrëshe të të ekspozuarve me leje si dhjetoristë ‘90, lexon herë nën rreshta e herë drejtpërdrejtë se një pjesë e mirë prej tyre rezulton të kenë qenë të përcaktuar nga “të tjerët”.

Ndërkohë, kemi përshtypjen madje bindjen se ata që mungojnë në media dhe në jetën aktive politike e vendimmarrëse, ata që u mohoet historia, apo që u mohoet mundësia për të folur të vërtetat e lëvizjes së dhjetorit ’90, ashtu si kanë ndodhur realisht, si janë jetuar e përjetuar realisht, pa interpretime politike, apo korrektime të mëvonshme për përditësim me politikat e ditës, duhet të kenë qenë heronjtë e vërtetë e janë bash ata që i kanë bërë aktet më fisnike.

Por dikush mund të thotë se ky është një gjykim krejt subjektiv.

Edhe këtë merak dua që tia heq çdo lexuesi duke ia pohuar këtë dyshim.

Jam krejt subjektiv në vlerësimin tim.

Por a nuk ju bën përshtypje karriera e disa ekspo-dhjetoristëve ‘90, që nuk kanë treguar kurrë se si e morën kurajon të kundërshtonin sistemin më të egër në Europë?

A nuk ju bën përshtypje fakti se secili prej tyre vrapon zellshëm dhe zvaranikisht që lejen për të shpallur veten hero ta kërkojë nga Lideri Politik, apo Liderat e Partive sipas interesave, rreshtimit, dhe rastit, dhe jo nga ngjarja që ai apo ajo kanë krijuar apo marë pjesë?

A nuk ju bënë përshtypje që ndërkohë zhgërryhen e turfullojnë nëpër studio se ishin heronjtë e dhjetorit ’90, dhe sapo dalin nepër kafene shprehen se ata vetë nuk dinin se ç’po ndodhte në “qytetin “e tyre?

A nuk na thonë këta njerëz se si e arritën pajtimin e tyre të pashprehur me elitën më të egër politike komuniste, kur kjo e fundit ende edhe sot e kësaj dite ndonëse me skalionet apo brezat e dytë, tretë apo të katërt, gëzon shendet të plotë ekonomik e politik, nën trajtën e re të një elite skandalozisht bllokuese të periudhës së tranzicionit apo postkomunizmit 30 vjeçar?

Madje, madje për ironi të fatit, vetë ekspo-dhjetoristët ‘90, na e thonë në media apo tribuna si çirakë të politikës apo me mandate të tëhuajëzuara të politikës, se ish-bllokmenët të rinj dhe të vjetër janë akoma në veprimtari të plotë politike, ekonomike dhe mediatike prej 29 vitesh edhe sot e kësaj dite…

Dhjetori ‘98

Tani le të shohim ç’ka ngjarë me dhjetorin 98.

Kemi parë me shumë gëzim se shumica prej tyre nuk kanë arritur të jenë askund në politikën e madhe.

Nuk janë shpërblyer, nuk janë konsideruar, nuk janë vlerësuar, madje janë lënë në harresë dhe neglizhim total.

Fisnikëria e tyre ka qenë e madhe sepse nuk kanë rendur ta shesin fotografinë historike të dhjetorit ’98, për të kërkuar shpërblime, konsiderata apo vlerësime nga politika e ditës.

Përjashtim kanë bërë disa emërime sporadike individësh në pozicione të larta shtetërore, por jo për shkak të pjesëmarrjes së tyre në lëvizjen studentore të dhjetorit ‘98, por për arsye të tjera, jashtë dhjetorit ‘98.

Këto emërime nuk janë aspak përfaqësuese, ngase edhe vetë të emëruarit nuk denjojnë e as kanë pikë dëshire ta konsiderojnë emërimin e tyre si burim e rrjedhojë të vlerësimit dhe negocimit me lëvizjen dhe pjesëmarrësit në lëvizjen studentore të dhjetorit ‘98.

Kësisoj përsias plot ngazëllim se dhjetoristët ‘98, ose shumica prej tyre kanë pasur një distancë shumë të madhe me elitën komuniste dhe post-komuniste dhe e vetmja pikë takimi i tyre me të është ajo çka mund të quhet qoshetakimi me ish-elitat komuniste dhe elitat e reja bllokuese post-komuniste të transponduara në kryesinë e Partisë Demokratike të viteve ’90 – ‘98.

Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’98, u konfigurua si një lëvizje e sinqertë që u bazua plot ndërgjegje e kthjelltësi tek figura legjendare e Azem Hajdarit i cili ishte ekzekutuar pabesisht dy muaj më pare, para oborrit të PD-së.

Nga arsyetimi i të qenurit vetë drejtpërdrejtë dëshmitar dhe drejtues kryesor në ngjarje më duhet të them se e sigurtë është edhe marrëdhënia dhe mirëbesimi që dhjetoristët ‘98 kishin tek Sali Berisha ndërsa ia nisnin përpjekjeve të tyre për ta ngritur në këmbë këtë lëvizje studentore.

Por nuk mund të flasim reciprokisht për po të njëjtat ndjesi dhe qëndrime nga ana e Sali Berishës dhe e Kryesisë së PD, për ne studentët e asaj kohe.

Thjesht nuk e dimë dhe nuk kemi se si ta verifikojmë përveçse duke hapur këtë debat që synon ky shkrim.

Nëse Kryesia e PD dhe Lideri i saj atëherë Sali Berisha, kanë qenë apo jo të sinqertë në atë çfarë ata kanë bërë, kjo është për t’u ekzaminuar.

Por fakti është se dhjetoristët e ’98, i kanë qëndruar në krahë, i janë gjendur në momentet më të vështira dhe e kanë mbrojtur këtë lidership të PD asokohe dhe sidomos vetë drejtpërdrejt dhe nominalisht Sali Berishën, edhe pse atëherë në dhjetorin ’98, të gjithë pjesëmarrësit dhe drejtuesit e lëvizjes e kishin vetëdijen e plotë se Sali Berisha ishte i izoluar politikisht brenda dhe jashtë vendit.

Asokohe u vendos mirëbesimi tek Sali Berisha dhe u vendos madje edhe ndërmarrja e grevës së urisë të 120 studentëve, që afërmendsh ndihmonte rikthimin e Sali Berishës në skenë si faktor determinant në politikën shqiptare atë dhjetor të ‘98.

Mes dy dhjetorëve

-(Paraprakisht sqaroj këtu se qëllimisht kam ndërfutur termin ekspo-dhjetoristët ’90, për ta bërë të qartë dallimin mes atyre që kanë qenë heronjtë e vërtetë dhe fisnikë të atij dhjetori të lavdishëm, të cilët i nderoj thellësisht e u ndihem pafundësisht mirënjohës, dhe atyre që e përdorin dhjetorin me leje e sipas nevojave të partisë apo për një copë bukë të ngjyer me pak karrierë zvarraniku)-

Gjatë vjeshtës së vitit 1998, e majta në pushtet e asaj kohe tallej me çdo lëvizje politike të prejardhur nga Oborri i PD.

Në atë kohë ishte shndërruar në demode, dhe anti-trendy që një i ri të shprehej se ishte me PD.

Heroi i dhjetoristëve ‘90, legjendari Azem Hajdari ishte vrarë.

Shumë miq të tij, përsa ai ishte gjallë e mohuan, përbaltën, shitën, rrëzuan dhe kurrë s’kishin arritur t’a mbronin sa ishte në jetë, sepse e kishin pasur të ndaluar apo nuk dinin, apo thjeshtë nuk e kuptuan.

T mobile In article 1

Por pas vdekjes së Azemit, rendën ekraneve, gazetave, tribunave, proçesioneve, të thonë se ai ishte gjallë, se ai ishte Lideri i tyre, Heroi i tyre i nga Pasvdekja etj, etj.

Sërisht u shfaqën plot vrull e përgjërime ekspo-dhjetoristët ‘90, të cilët gjetën strehën e tyre politike poshtë arkivolit të të ndjerit Azem Hajdari.

Histori njerëzore, por me keqardhje dhe vërtetësi duhet thënë se është një histori njerëzorësh ziliqarë, të vegjël nga ana morale, të pazotë politikisht për të marrë përgjegjësi e për tu shndërruar në lidera të natyrshëm, burimorë.

Histori njerëzish që të bëjnë hero dhe të pranojnë si lider vetëm pasi vdes.

Dhe pse?

Sepse i vdekur iu duhesh më shumë.

Ndërkaq, ndërsa në atë shtator-dhjetor ’98, ndodhte kjo histori tragjikomike ekspo-dhjetoristësh ‘90, disa djem e vajza, ndër më guximtarët dhe më idealistët e brezit të tyre, morën përsipër të bënin një lëvizje të re politike nën modelin e pararendësve të tyre që kishin ende aureolën e heronjve të viteve ‘90.

Si dëshmitar i atyre kohëve e zhvillimeve unë them se asokohe, ndonëse të përfshirë në aksionin për ngritjen në këmbë të lëvizjes studentore të dhjetorit ‘98, ne besonim se ajo histori e jashtëzakonshme e dhjetorit ’90, nuk mund të përsëritej dot më kurrësesi, madje aq më pak nga ne.

Edhe në ditët e sotme besoj se nuk mund të përsëriten përmasat e asaj lëvizje duke patur këtu parasysh mbështetjen popullore, emocionalitetin, idealizmin dhe bindjet e larta, kontekstin politik, kontekstin ndërkombëtar, peshën historike të momentit etj.

Por tani ndërsa shkruaj këto radhë, them se e kam një ndryshim në atë që mendoj.

Nëse atëherë besonim se djemtë e vajzat e Dhjetori të Parë, atij ‘90, ishin shumë “gjigantë”, të pakapshëm në atë çfarë ata bënë, sepse ishin të tillë dhe historia ua rezervoi këtë fat, sot rezervojmë të drejtat e plota të mendojmë ndryshe.

Dhjetori i Parë, si komunitet dhjetoristësh, në këto 29 vite, ka arritur të prodhojë vetëm një Hero, një Lider.

Dhe ky Hero ka ndërruar jetë fizikisht.

Dhe ky Hero, ky Lider u pranua si i tillë vetëm pak ditë gjatë ditëve të stuhishme të dhjetorit ‘90, por që më vonë u mohua, u linçua dhe u godit pafundësisht passhpine.

E më pas u ripranua si Hero dhe Lider vetëm pas vdekjes.

Të tjerë heronj dhe lidera të vërtetë të atij dhjetori ‘90, u detyruan të largohen nga Shqipëria, ndonjërin e thyen moralisht e shpirtërisht me pabesi e rrethime helmi dhe negativiteti, dhe e katandisën të vuajë burgjeve të Shqipërisë, ndërsa të tjerëve u është qepur goja apo hequr mundësia.

Ata që flasin e duken kudo janë vetëm ekspo-dhjetoristët ’90, që dalin në skenë vetëm në disa data kalendarike kur Pushtetet dhe Politika ka nevojë për shërbimin e rithirrjes së “legjitimitetit historik” nga të ashtuquajturit burimorët e dhjetorit ‘90.

Expo-dhjetoristët e parë e kanë vetëdënuar me vdekje shpirtin e tyre, politikisht përsa i takon lidhjes që ata kanë me parimet e dhjetorit ’90, të cilat shumica e shqiptarëve i besoi, beson e ndjek me sinqeritetin më të madh. Ata kanë keqpërdorur këdo, të gjallë dhe të vdekur, me të vetmin qëllim atë të një suksesi mjeran politik.

Ata as janë bërë dhe as nuk kanë për t’u bërë ndonjëherë të parë. Ata thjeshtë janë dhe ngelen në funksion dhe vegla qorre të legjitimitetit të munguar të elitës së vjetër dhe elitave të reja bllokuese postkomuniste. Ata rrinë në pritje që dikush mos t’ju hyjë në pjesën e dhjetorit të tyre. Ata kanë dalë në shitje të gjithë.

Shesin fotografinë historike të dhjetorit ‘90, tek blerësi i rradhës ndër Liderat dhe Pushtetarët Politikë.

Por njerëzit jashtë, qytetarët e thjeshtë, njerëzit që mendojnë e reflektojnë si qytetarë të përgjegjshëm, e kanë kuptuar që ai dhjetor nuk ka ndodhur krejt ashtu si thuhet nga ekspo-dhjetoristët ’90, të cilët janë shndërruar në shpirtra të vdekur të marë me qera nga Ciçikovët e Udhëheqësive politike shqiptare, gjatë datave kalendarikisht të njohura tashmë.

Ndërsa edhe pse mund të rrezikojmë të konsiderohemi të njëanshëm, ne gjithësesi besojmë fort se dhjetoristët e dytë, dhjetoristët e ‘98 ishin më të sinqertë, më të drejtpërdrejtë, më të vetëdijshëm, më politikë.

Ata përkrahën liderin politik të asaj kohe Sali Berishën kur të gjithë e kishin harruar.

Dikush mund të thotë se ai ua hodhi sepse vetëm ai përfitoi.

Kjo është pjesa që i takon drejtpërdrejt vetë Sali Berishës dhe ndërgjegjes së tij, që të vendosë e përcaktojë se si është sjellë e se si do të vazhdojë të sillet me ata që i qëndruan pranë kur të gjithë e lanë, apo me ata që e ndihmuan në ditë të vështira për të mbijetuar e për tu ringritur.

Por me siguri mund të themi se dhjetoristët e dytë ishin më të pjekur politikisht dhe më të sinqertë.

Qëllimin e kishin të qartë dhe qëndruan për të.

Dhjetoristët e vërtetë ’90, bënë histori të madhe, të jashtëzakonshme që transformoi Shqipërinë.

Por Expo-dhjetoristët e ‘90 rendin t’ua imponojnë shqiptarëve idenë e madhe të tyre sipas porosive, ndërkohë që dhjetoristët ‘98 bënë histori edhe pse përkohësisht ndokush mendoi se ua vodhi, mohoi apo zhyti në harresë.

Dhjetoristët e ’98, po rriten dalëngadalë në politikë por të sigurtë.

Pa barrë të madhe në ndërgjegjien e tyre sepse kurrë nuk morën atë që ndoshta u takonte.

Kështu që nuk mund tu kërkojë llogari askush për ndonjë pjesë të supozuar si të marë.

Ka dhe shumë arsye të tjera për të menduar se Dhjetoristët e ’98, ishin më politikë.

Së paku kishin mundësi për të zgjedhur më shumë, por ata zgjodhën sakrificën për atë që besonin.

Si grup të rinjsh studentë nga Fakultete të ndryshme në vitin 1998 pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari filluan një Lëvizje Studentore pothuajse në të gjitha Universitetet e Shqipërisë, por kryesisht të përqendruar në Universitetet e Shkodrës dhe Tiranës.

Kjo Lëvizje Studentore e Dhjetorit ’98, vinte me një frymë të re dhe ambicie të qartë që synonte përmbylljen e një proçesi të papërfunduar të rendjes së Shqipërisë drejt lirisë, demokratizimit, zhvillimit të ekonomisë dhe integrimit Europian, proçes ky i cënuar dhe gjymtuar rëndë nga viti i vështirë 1997, si dhe nga vrasja e liderit të studentëve dhe të pluripartitizmit shqiptar z.Azem Hajdari.

Misioni i studentëve shqiptarë në dhjetorin ‘98, ishte pikërisht mbrojtja e fitoreve të arritura deri atëherë nga fryma dhe shpirti demokratik e liridashës i shqiptarëve.

Lëvizja studentore e dhjetorit ’98, ishte një lëvizje maturie të madhe qytetare e cila synonte të ngrinte brezin e dijes nga auditoret e tronditura prej ngjarjeve të rënda dhe vështirësive me të cilat po përballej vendi ynë, e ta vendoste në udhën e lirisë dhe të paqes për të rikuperuar e rivendosur stabilitetin politik ku të mbizotëronte mirëkuptimi, mirëbesimi dhe bashkëpunimi mes paleve politike në Shqipëri.

Lëvizja studentore e dhjetorit ’98, ishte nje akt politik dhe qytetar i studentëve shqiptarë me synim prodhimin e një ambienti dhe ligjërimi politik ku nuk kishte më vend për dhunën, zemëratën dhe veprat e këqija, porse ngritjen lart të shpirtit të paqes dhe pajtimit i cili do tu jepte shanse forcave të së mirës të lartësonin dinjitetin dhe mirësinë e shqiptarëve.

Lëvizja studentore e dhjetorit ’98, ishte një lëvizje e strukturuar dhe artikuluar drejt në rrafshin politik, social, intelektual dhe ideor ngase në asnjë moment nuk rreshti së synuari kthjelltësisht qytetarinë e paqes dhe atdhedashurisë ndër gjithë faktorët veprimorë dhe vendimorë politikë, kulturorë dhe social në Shqipëri.

Kjo Lëvizje studentore e dhjetorit ’98, kaloi nëpër disa etapa deri në vendimin e madh të mbi 120 studentëve për tu vetësublimuar për besimin dhe idetë e tyre duke u futur në një grevë urie 13 ditore e cila u përmbyll me një shërbim të madh ndaj vendit tonë, uljen në tryezë të Kryeministrit Shqiptar të asaj kohe z.Pandeli Majko dhe Liderit të Opozitës z.Sali Berisha, vendosjen e paqes dhe fitoren e madhe të forcave të së mirës dhe bashkëpunimit përkundrejt operatorëve të së keqes dhe dhunës.

Vendosja e Paqes dhe rifillimi i një kohe të re politike në Shqipëri ishte pararendja e një sërë aktesh të mëvonshme politike të cilat sollën konsensus të madh ndërpolitik por edhe reforma e zhvillime shumë pozitive në Shqipëri.

Tryeza e Paqes që erdhi si rezultat i Lëvizjes studentore të dhjetorit ’98, ishte pika e kthesës në Shqipëri, prej nga ku u shestua bashkëpunimi i faktorit politik shqiptar për çështjen e Kosovës, por edhe për çështje të mëdha të zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë, për tu bërë një vend i denjë për anëtarësim në NATO dhe BE.

Tryeza e Paqes që erdhi si rezultat i Lëvizjes studentore të dhjetorit ’98, ishte pika e kthesës prej nga ku vendi ynë rikonfirmoi orientimin e tij demokratik dhe euro-atlantik.

E nën kontekstin e zhvillimeve të sotme politike duhet të themi se dhjetori ’90 dhe dhjetori ’98 janë dëshmi e energjive të mëdha kombëtare që kemi ne shqiptarët për të ndryshuar dhe korrektuar rregjimet dhe kurset ku na dhunojnë apo manipulojnë të hyjmë udhëheqësitë tona politike.

Çdo lloj tolerimi i mëtejshëm i realtiteteve të mbizotëruara nga udhëheqësi politike të mbrapshta, të majta e të djathta, çdo lloj përshtatshmërie ndaj keqnajave ciklike e simetrike që këto udhëheqësi ndërtojnë në funksion të lojrave për pushtet dhe ruajtje kontrolli, do të jetë humbje e fitoreve të arritura në dhjetorin ‘90 dhe dhjetorin ‘98.
Në dhjetorin ’90 fituam duke përmbysur të keqen, në dhjetorin ’98 fituam duke lartësuar tryezën e paqes dhe bashkëpunimit parimor, sot ka ardhur koha të ringrihemi për të fituar duke lartësuar qytetarinë dhe perëndimizimin.

Kurrë nuk është vonë.

Realiteti bi-monist, realiteti PD – PS, realiteti i mbizotëruar nga elitat bllokuese postkomuniste që drejtojnë e vegjetojnë në këto dy parti, duhet të ndryshojë.

Eshtë koha për dalëzotsi.

Eshtë koha për një realitet të fortë, shprehës, këmbëngulës, kurajoz, qytetar jashte PD dhe jashte PS.

Është koha për Lëvizjen e Re.