Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi njoftoi të enjten se Dhoma e Përfaqësuesve do të hartojë listën me akuza për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

“Bëhet fjalë për fatin e demokracisë sonë. Presidenti nuk na la zgjidhje tjetër veçse të veprojmë,” tha zonja Pelosi.

Ajo e bëri njoftimin historik ndërsa demokratët po kërkojnë me ngulm që Dhoma e Përfaqësuesve, ku ata kanë shumicën, ta hedhë në votë propozimin, ndoshta para Krishtlindjeve.

Zonja Pelosi tha se e kishte autorizuar hartimin e akuzave për shkarkimin e presidentit “me një ndjenjë trishtimi por me besim dhe përulje.”

“Veprimet e presidentit kanë shkelur seriozisht Kushtetutën,” tha zonja Pelosi.

Në qendër të hetimeve është një telefonatë e Presidentit Trump me presidentin e Ukrainës në korrik të këtij viti, ku zoti Trump i bëri presion bashkëbiseduesit për të hetuar rivalin demokrat Joe Biden si kusht që Ukrainës t’i livrohej ndihma ushtarake. Presidenti Trump i ka mohuar akuzat. Shtëpia e Bardhë tha se demokratëve duhet t’u vijë turp.

Nëse Dhomae Përfaqësuesve e miraton listën e akuzave, në Senat, ku shumicën e kanë republikanët, zhvillohet një gjyq. Në këtë rast, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve luajnë rolin e prokurorëve dhe senatorët rolin e jurisë. Kreu i Gjykatës së Lartë kryeson gjyqin. Presidenti lejohet të ketë në gjyq avokatë mbrojtës, të cilët thërrasin dëshmitarë dhe kërkojnë dokumente.

Presidenti Trump tha sot se nëse Dhoma e Përfaqësuesve vendos të miratojë akuzat për shkarkimin e tij, ajo duhet ta bëjë këtë tani dhe sa më shpejt, në mënyrë që çështja t’i kalojë senatit dhe vendi t’i kthehet punës.

Ai tha se një vendim i tillë i demokratëve nënkupton që presidentët e ardhshëm do të përballen në mënyrë rutinë me kërcënime për shkarkim nga ligjvënësit. /voa

Loading...
Global