Ndryshimi i klimës dhe ndotja po “largojnë” oksigjenin nga oqeanet tona dhe kërcënojnë shumë lloje peshqish.

Ky është përfundimi i studimit më të madh në llojin e tij, të ndërmarrë nga grupi ambjentalist IUCN. Ndërsa ndotja është e njohur tashmë prej dekadash, ekspertët thonë se ndryshimi i klimës po e përkeqëson mungesën e oksigjenit. Rreth 700 zona oqeanike kanë tani probleme me uljen e nivelit të oksigjenit në ujë, krahasuar me atë të regjistruar në vitet 1960.

T mobile In article 1

Studiuesit thonë se ky fenomen kërcënon specie të ndryshme që përfshijnë tonin dhe peshkaqenët. Kërcënimi për oqeanet nga rrjedhja në to e kimikateve të tilla si azoti dhe fosfori, që vijnë nga fermat dhe industria, përbën prej kohësh shqetësim sepse është provuar që ndikon te niveli i oksigjenit në ujin e detit. Ajo vazhdon të mbetet një faktor në përkeqësimin e situatës, sidomos në zonat bregdetare.

Megjithatë, vitet e fundit është rritur edhe kërcënimi nga ndryshimi i klimës. Me efektin serë, oqeanet thithin më shumë nxehtësi dhe uji i ngrohur, nga ana tjetër, mund të mbajë më pak oksigjen. Shkencëtarët vlerësojnë se midis viteve 1960 dhe 2010, sasia e gazit të tretur në oqeane ka rënë me 2%.