Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi sot se “tronditja nga Brexit” ka forcuar unitetin brenda Bashkimit Evropian.

“Kaq paradoksale sa duket, tronditja e Brexit-it ka forcuar unionin tonë. Sepse, nuk tregon vetëm se çfarë do të thotë të largohesh nga BE, por gjithashtu edhe atë që fiton secili vend duke qenë pjesë e Bashkimit Europian”, konfirmoi zyrtarja gjermane një ditë para ceremonive me rastin e 30-vjetorit të shëmbjes së Murit të Berlinit.

“Eksperienca e Brexit kujtoi, për shumë nga ata që kishin dyshime tek BE, përfitimet që mund të kenë nga kjo aleancë”, theksoi ajo.

“Sado të ndryshëm që jemi, 27 vendet e Bashkimit Europian janë të bashkuar në negociatat për Brexit”, nënvizoi ajo.

Vështirësitë aktuale rreth kushteve të daljes së Britanisë së Madhe nga BE paralizojnë dhe ndajnë vendin që prej votimit të britanikëve në vitin 2016 dhe Brexit-i është shtyrë tashmë tre herë.

Loading...