Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, së
bashku me dy universitete nga Republika e Turqisë, respektivisht Universitetin e Ardahanit dhe
Universitetin Munzur, si dhe disa institucione arsimore e shkencore nga Qiproja, Hungaria dhe Greqia e
përmbyllën me sukses projektin për djathin, të titulluar – “Fokusi inovativ i djathërave malorë të
kombinuar me bimë aromatike duke ruajtur metodat tradicionale të prodhimit IFCHEESE ".
Takimi përmbyllës i këtij projekti u zhvillua në Universitetin e Ardahanit ku morën pjesë
përfaqësues nga të gjitha institucionet pjesëmarrëse në këtë projekt. Universiteti i Tetovës, në këtë ngjarje
u përfaqësua nga prodekani për Shkencë i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Doc.
Dr. Erhan Sulejmani dhe dy studentet e këtij fakulteti, Arbesa Ziberi dhe Anila Pollozhani.
IFCHEESE, për synim ka pasur mbrojtjen e metodave tradicionale të prodhimit të djathërave të
kombinuar me bimë aromatike dhe mjekësore, duke krijuar dhe mbrojtur prodhuesit lokalë të djathërave
të gjinisë femërore në fermat e vogla dhe duke krijuar teknika të reja të marketingut në zonat urbane nga
zonat rurale për të aplikuar e-platformën komerciale, që do të synojë ofrimin e djathit tradicional. Përveç
mbrojtjes së metodave të vjetra të prodhimit të djathërave, gjithashtu ka bërë edhe dokumentimin e
prodhimit të metodave të vjetra dhe prodhimin e metodave inovative të djathërave duke përdorur bimë
nga vende të ndryshme ku realizohet ky projekt.
Prodekani për Shkencë dhe njëherësh koordinator i projektit, Doc. Dr. Erhan Sulejmani potencoi
se gjatë realizimit të këtij projekti është konstatuar se Tetova dhe Pollogu në aspektin e biodiversitetit dhe
bimëve endemike janë ndër rajonet më të pasura të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, qumështi dhe
produktet e qumështit të prodhuar me metoda tradicionale janë në kërkesë të madhe jo vetëm në vend, por
edhe jashtë tij. Ai, gjithashtu tha se me projektin për djathin "IFCHEESE", jo vetëm që kanë filluar të
prodhohen djathëra funksionalë, te kombinuar me bimë aromatike, por janë realizuar edhe dy tema
magjistrature të financuara nga projekti, duke rezultuar me publikime në konferenca dhe revista
shkencore prestigjioze.
Projekti IFCHEESE ka filluar në nëntor të vitit 2017 dhe është financuar nga Bashkimi Evropian
përmes Programi Youth Erasmus + dhe Programet Youth KA2 Partneritet Strategjike 2017 / R1.
.

dhuro

Loading...
Global