Policia turke arrestoi 17 shtetas të huaj, nën dyshimet se kanë lidhje me grupin militant Shteti Islamik, raportoi agjencia e lajmeve Anadolu.

Sipas burimit të njëjtë, të shtatëmbëdhjetit – kombësia e të cilëve nuk u bë e ditur – u arrestuan në Ankara dhe po merren në pyetje nga zyrtarët kundër terrorizmit.

Turqia i ka rritur përpjekjet e saj për të goditur militantët e Shtetit Islamik pas vrasjes së liderit të tyre, Abu Bakr al-Baghdadi, nga Shtetet e Bashkuara, muajin e kaluar.

Këtë javë, autoritetet turke thanë se kanë arrestuar edhe motrën, edhe gruan e Baghdadit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të enjten se anëtarë të rrethit të Baghdadit kanë bërë përpjekje të hynë në Turqi dhe se disa prej tyre janë arrestuar.

Në fillim të luftës në Siri, në vitin 2011, kur Turqia ka qenë e interesuar për rrëzimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ajo është akuzuar se ka dështuar t’i ndalojë xhihadistët të kalojnë kufirin e saj.

Kjo ka ndryshuar pas një serie sulmesh që ka kryer Shteti Islamik brenda Turqisë dhe Ankaraja i është bashkuar koalicionit ndërkombëtar kundër këtij grupi, më 2015.

Loading...