Trajneri i Dortmundit, Lucien Favre komentoi përmbysjen dramatike ndaj Interit, sfidë e rëndësishme për fatet e kualifikimit në fazën tjetër të Champions Leagues..

Favre tha se nëse Interi do të kishte shënuar edhe golin e tretë atëherë përmbysja do të ishte shumë e vështirë për verdhezinjtë.

Gjatë fjalës së tij trajneri zviceran nuk kurseu elozhet për lojtarët e tij të cilët sipas tij zhvilluan një ndeshje fantastike.

“Edhe pjesa e parë ishte pozitive. Patëm shanset tona, por fatkeqësisht pësuam dy gola. Nëse do të kishim pësuar një gol të tretë, atëherë do të kishte qenë me të vërtetë shumë e vështirë. Por ne luajtëm një ndeshje shumë ofensive dhe ushtruam mirë presing pas pushimit për të shmangur kundërsulmet. Ishte një takim i çmendur me shumë shpejtësi dhe fantastik për t’u parë”, tha Favre, i cili i thuri elozhe Hakimit për ndeshjen e tij të shkëlqyer.

Marokeni ka shënuar pesë gola nga 6 të Dortmundit këtë sezon në Champions.

“Ai është shumë ofensiv, i pëlqen të sulmojë pavarësisht se është një mbrojtës krahu. Ai ngrihet në nivelin e detyrës. Është një futbollist i shkëlqyer”.

Tani Dortmundi renditet një pikë pas kryesuesve të Barcelonës në Grupin F, ndërsa kanë një avantazh prej 3 pikësh nga Interi, por Favre e di se asgjë nuk është vendosur akoma.

“Gjithçka është e mundur. Unë nuk e kam parë klasifikimin, por ky është një grup i fortë dhe të gjithë e dimë këtë. Barcelona u ndal nga Slavia e Pragës, e cila nuk është një skuadër e lehtë për ta pasur përballë. Do të jetë e vështirë, por ne duam që të shohim me optimizëm pas kësaj fitoreje”.

Loading...