Veting do të ketë, por nuk është e qartë si do të bëhet. Komisioni kundër korrupsionit ta kontrollojë pronën e gjykatësve kurse Këshilli Gjyqësor të vendos për profesionalizmin e tyre. Këtë e kanë propozuar gjykatës nga Shqipëria në konferencën rajonale të gjykatësve, që kohë më parë u mbajt në Ohër, shprehet për Alsat gjykatësi Xhemali Saiti.

Prej këtij momenti duhet të zhvillohet debat. Bëhet fjalë për nismë që nuk është shtruar vetëm njëherë. E dimë qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar, ne ngushtë bashkëpunojmë me disa faktorë të cilët i japin rëndësi sundimit të së drejtës. Mbetet të shihet, a është me të vërtetë qëllimi që të niset proces i këtillë, që sipas meje është i diskutueshëm lidhur me efektet që mund të arrihen- deklaroi Xhemali Saiti- kryetar i Shoqatës së Gjykatësve.

Zbatimi i Vetingut nuk do të jetë proces i lehtë duhet të nis shpejtë e jo të priten zgjedhjet, vlerëson gjykatësja Margarita Caca Nikollovska. Është e rëndësishme kush do të jetë në Komision, i cili do të vendos për të ardhmen e gjykatësve. Nëse vërtetohet korrupsion tek një gjykatës i caktuar, ajo thotë se i njëjti duhet të ndiqet penalisht.

Ky proces duhet të fillojë sa më shpejtë dhe nuk duhet të lidhet vetëm me zgjedhjet. Të gjithë në Maqedoni, pa marrë parasysh cila parti është në pushtet, duhet prioritet ta ketë zgjidhjen e problemeve në gjyqësor nga më shumë aspekte, mos- animin, pavarësinë, cilësinë e punës, aspektin e korrupsionit, cilësinë. Tërë këto janë veçori që duhet t’i posedoj një gjykatës. Do të kisha thënë që këto veçoritë duhet të barten edhe tek prokurorët sepse edhe atje kemi probleme- tha Margarita Caca Nikollovska- ish gjykatëse në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut.

Për të parin e trupit i cili emëron, avancon dhe shkarkon prokurorë, vetingu është çështje e ndjeshme.

Nëse nuk ka numër të mjaftueshëm të prokurorëve, atëherë, prokuroritë publike do të jenë të ngathëta dhe qytetarët nuk do të kënaqur nga emërimi i prokurorëve publik. Sa më i vogël është numri i prokurorëve publik, aq më tepër lëndë do të ngecin dhe nuk do të kemi cilësi- tha Aco Kolevski – kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publik.

Vetingu është proces serioz dhe nuk duhet të bëhet vetëm në letër, ndërsa në praktikë të mos ndërmerret asgjë. Sipas ish anëtarit të Antikorupsionit, Arif Musa, nevojitet profesionalizëm dhe vullnet politik që të ketë realizim.

Vetingu i gjykatësve, sipas paralajmërimeve të ministres së drejtësisë, Renata Deskoska, do të fillojë pas zgjedhjeve. Ajo mendon se është më mirë të ketë më pak gjykatës ndërsa të jenë profesionistë. Në Shqipëri, vetingu filloi në mes të vitit 2016 dhe do të vazhdojë deri më 2021. Për pesë vite duhet të kontrollohet profesionaliteti, gjendja pronësore dhe korrupsioni për rreth 800 gjykatës dhe prokurorë.

Loading...
Global