Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar në një përgjigje për Gazetën Express se kanë filluar hetimet ndaj nipit të Jakup Krasniqit, Arian Krasniqit për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Nga ky institucion kanë bërë të ditur se rasti ka kaluar në procedurë të rregull, e se personat e përfshirë në ngjarje janë intervistuar.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se rasti ka kaluar në procedurë të rregullt në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410 te KPRK-së. Personat e përfshirë në këtë rast janë intervistuar, ndërsa tutje do të vazhdoj zhvillimi i procedurës hetimore”, kanë thënë për Express nga prokuroria.

Lidhur me këtë, sot gjatë ditës detaje kanë dhënë edhe nga policia e Kosovës.

“Një rast sulm ndaj personit zyrtar është raportuar të ketë ndodhur në objektin e një ministrie. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët i kanë dhënë ndihmën zyrtarit të lënduar. Me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Ndryshe, Express dje ka raportuar se Arian Krasniqi, këshilltar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e ka sulmuar sekretarin e MTI-së, Burim Rrecin.

Rrahja ka ndodhur dje rreth orës 14:00, derisa raportohet se deri te sulmi kishte ardhur pasi që Krasniqi kishte kërkuar nënshkrimin e pagesave të udhëtimeve që i ka bërë jashtë vendit, por, që një gjë të tillë nuk ia kishte dorëzuar sekretari Rreci.

Ndryshe, Arian Krasniqi, është djali i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi ishte punësuar si këshilltar politik i ministrit në detyrë, Endrit Shala, i cili akoma po e mban pozitën.

Gazeta Express ka provuar kontaktet me Rrecin dhe Krasniqin, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Loading...
Global