Në Universitetin e Tetovës, me një ceremoni solemne sot u shënua 22 Nëntori, Dita e Kongresit të Manastirit, e njohur si Dita e Alfabetit. Në 111 vjetorin e njësimit të alfabetit, studentëve dhe profesorëve të universitetit tonë me fjalë rasti ju drejtua dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.

Ai, duke iu referuar rëndësisë së kësaj dite, tha se ta kujtosh dhe ta nderosh përvjetorin e Kongresit të Manastirit, e në veçanti 111-vjetorin e tij, nuk është thjesht një nderim, por detyrë e obligim i brezit tanë, për të gjithë ata që nuk kursyen asgjë, duke përballuar ndjekjet, persekutimet dhe reprezaljet për të zgjidhur një nga çështjet më madhore të kulturës sonë, alfabetin e përbashkët të shqipes. “Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. Me të drejtë thuhet se pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ky është kuvendi që mblodhi shqiptarët nga të gjitha krahinat e vendit tonë, nga ngulmimet shqiptare e të tjerë, duke dhënë sinjalin e parë për pavarësinë kombëtare të popullit shqiptar. Gjithashtu, ai për herë të parë në historinë tonë çeli rrugën e kongreseve për të diskutuar çështje madhore të kulturës sonë. Me të vërtetë historia e alfabetit të gjuhës shqipe qe një rrugë e gjatë, e mundimshme dhe e dhimbshme, por atdhetarët shqiptarë arritën ta zgjidhin atë”, tha Prof. Dr. Berton Sulejmani.

Referatin qendror për rëndësinë e Kongresit të Manastirit e paraqiti profesoresha e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të UT-së, Prof. Dr. Emine Shabani. Sipas saj, Rilindja Kombëtare ka emra të shquar që kontribuuan madje edhe sakrifikuan gjithçka për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin dhe veçoi disa emra, vepra e të cilëve lidhet ngushtë me Rrugën e Shkronjave deri në përfundim të Kongresit të Manastirit, si dhe arritjes së marrëveshjes për një alfabet unik. “Ky kongres pati gjithsej 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 23 qytete, shoqëri dhe klube dhe 18 delegatë të tjerë pa të drejtë vote. Kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta, ndërsa nënkryetar: Mit-hat Frashëri, sekretar: Luigj Gurakuqi dhe anëtarë: Ndre Mjeda, Bajo Topulli, Sotir Peci, Gjergj Qiriazi, Shahin Kolonja, Parashqevi Qiriazi, Grigor Cilka, Hilë Mosi, Thoma Avrami, Fehmi Zavalani, Nyzhet Vrioni, Phineas Kennedy-vëzhgues i Kongresit, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Dhimitër Buda, Mihail Grameno, Sami Pojani, Filomena Bonati, Taqi Buda, si dhe Petro Nini Luarasi”, theksoi Prof. Dr. Emine Shabani.

Ky manifestim u përmbyll me një recital të përgatitur nga studentët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Ermira Ameti, Sema Fetahi dhe Arta Omeri, si dhe një interpretim instrumental në flaut, të cilin e interpretoi studentja e Katedrës së Muzikës nga Fakulteti i Arteve, Teuta Emini.

Loading...
Global