Ministri i Arsimit dhe Shkencës, dr. Arbër Ademi mori pjesë në Konferencën “Fuqizimi i të rinjve për pjesëmarrje aktive në procesin e vendimmarrjes” të organizuar nga Këshillit Euro-Atlantik në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ku ishte i pranishëm edhe kryetari i shtetit Stevo Pendarovski.

Duke e vlerësuar çështjen në fjalë si sfidë për shoqërinë dhe, duke nënvizuar nevojën për angazhimin e të gjithëve në këtë drejtim, Ademi tha se pozita e ministrit të Arsimit dhe Shkencës ia lejon që më së shumti t’i përkushtoj vëmendje pjesëmarrjes së të rinjve në krijimin dhe zbatimin e politikave arsimore, që, gjithsesi, është shumë e rëndësishme edhe për procesin gjithëpërfshirës për anëtarësim në familjen evropiane. “Arsimi është njëri prej faktorëve kyç për prosperitetin e vendit. Prandaj, tashmë dy vjet e gjysmë, angazhimi im është mbështetur edhe në debate, diskutime e konsultime publike ku janë përfshirë edhe të rinjtë”, pohoi ai.

Në vitin 2018, sqaroi më tej ministri Ademi, krijuam një Ligj plotësisht të ri për arsimin e lartë, ndërsa studentët dhe shoqatat e tyre kishin pjesëmarrje të madhe në përpilimin e të njëjtit. Ky ligj, nënvizoi Ademi siguron mundësi të reja për të rinjtë, garanton organizim të pavarur studentor, pa ndikim të politikës, dhe siguron mundësi për angazhim në institucionet dhe institutet e arsimit të lartë për ata që dëshirojnë të merren me veprimtarinë e mësimdhënies dhe me shkencë. Në parimin e gjithë përfshirjes është punuar edhe për nxjerrjen e Ligj të ri për arsim fillor, i cili u miratua para disa muajve si dhe në hartimin e tekstit për ndryshimet e ligjeve për standardin studentor dhe për standardin e nxënësve. Me ndryshimet e reja ligjore, rregullohet organizimin demokratik i nxënësve, çështja e pjesëmarrjes në menaxhim me shkollat, ndërsa janë edhe një sërë aktivitetesh dhe nisma të tjera, si: angazhimi për përforcimin e multikulturalizimit në institucionet arsimore, krijimi dhe aplikimi i konceptit për edukim seksual të cilat jemi duke i realizuar së bashku me të rinjtë etj.

Sipas ministrit Ademi, jemi në rrugën e duhur që të bëhemi shembull se si duhet respektuar brezat e ri dhe si shteti është duke i përfshirë të rinjtë në krijimin e politikave dhe menaxhimin me proceset shoqërore. “Besoj se kështu do të vazhdojmë edhe në periudhën në vijim, sepse pikërisht të rinjtë janë forca lëvizëse e një shoqërie – të cilëve u mjafton vetëm hapësira dhe mundësia për të kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Loading...
Global