Zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Jani Makraduli sot përmes profilit të tij në Fejsbuk informoi se incidenti në fabrikën “Ohis” plotësisht është sanuar dhe se nuk ka kurrfarë rreziku.

“Pas ngjarjeve të djeshme në qarkun e “Ohis”-it, sot sërish është kryer inspektim nga ana e Inspektoratit Shtetëror për Mjedis Jetësor dhe nga Laboratori AMBIKON të Universitetit “Goce Dellçev” të Shtipit, të angazhuar nga ana e Gjykatës, për mbikëqyrje të procesit dhe mënyrës në të cilën po zhvillohet pastrimi. Ajo që është konstatuar është se incidenti është sanuar, falë edhe reagimit të shpejtë të të gjitha institucioneve kompetente”, ka shkruar Makraduli.

Shton se pasi të grumbullohen dhe përpunohen të gjitha të dhënat nga të gjitha institucionet relevante, do të merret vendim përkatës.

Incidenti ishte denoncuar dje nga ana e qytetarëve të cilët kanë ndjerë erë të pakëndshme, djegie të syve dhe kokëdhimbje. Në terren kishin dalë të gjitha institucionet kompetente dhe sipas informacioneve nga Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor lëngu i rrjedhur ishte mbledhur që ditën e djeshme. Informacionet nga institucionet kompetente ishin se ka rrjedhur ujë nga cisterna në të cilën më parë është ruajtur metil akrilik monomer. Gjatë larjes së cisternës ka lëshuar një ventil dhe lëngu është derdhur një një lloj vaske betoni e cila është jashtë objektit dhe për këtë është ndjerë erë kundërmuese në rrethinë.

Loading...