Liderët e protestave të dhunshme kundër rritjes së çmimit të karburanteve në Iran do të varen. Lajmi raportohet nga mediat pranë qeverisë, sipas të cilave ka njerëz të cilët paguhen për të krijuar kaos. Ndërkohë opozita pretendon se 90 protestues janë vrarë.

Janë të paktën 90 të vrarët gjatë pesë ditëve të protestave në Iran, sipas raportimeve të Radio Farda, pranë opozitës. Asnjë bilanc zyrtar i viktimave nuk është publikuar nga qeveria e Teheranit, ndërsa disa aktivistë të cilët citojnë burime anonime të ministrisë së brendshme iraniane, flasin për 200 të vrarë dhe tre mijë të plagosur, në protestat kundër rritjes së çmimit të karburanteve.

Bilanci i dhënë nga Radio Farda mbështetet në informacionet e organizatave në mbrojtje të të drejtave të njeriut, të publikuara në rrjetet sociale dhe në disa media. Në përplasjet e dhunshme mbrëmjen e së hënës 3 anëtarë të forcave iraniane të sigurisë janë sulmuar me thikë nga një grup protestuesish në perëndim të kryeqytetit Teheran.

Ndërkohë prokuroria iraniane deklaroi se janë identifikuar një numër i madh përgjegjësish të trazirave gjatë protestave. Ata që janë identifikuar do të arrestohen, dhe mes të kërkuarve nga policia ka dhe nga ata që i kanë dërguar pamje të manifestimeve mediave të huaja.

Prokuroria pretendon se qetësia është rivendosur dhe dënimi i atyre që kanë shkaktuar trazira do të jetë shumë i ashpër. Gjithashtu autoritetet i kanë kërkuar popullsisë që të japë informacionet e duhura për arrestimin e të dyshuarve.

Mediat pranë liderit supreme Ali Kamenei raportojnë se ka njerëz të paguar për të krijuar kaos dhe liderët e këtyre protestave të dhunshme do të varen. Akuza ndaj tyre do të jetë ajo e revoltës së armatosur kundër autoriteteve dhe sistemit të Republikës islamike.

Sipas këtyre mediave disa prej të arrestuarve e kanë pranuar se kanë paguar për të dëmtuar dhe djegur pronat publike, dhe për këtë arsye ishin dhe të armatosur. Fajtorët gjithashtu kanë pranuar se do të ndihmoheshin të largoheshin nga vendi nëse autoritetet do i kishin identifikuar./abcnews.al

Loading...
Global