LIBRI DHE KIKIRIKËT

Që të shpëtohet libri shqip nga abuzuesit e shumtë, së pari duhet ndarë shapi nga sheqeri dhe duhet ditur se çfarë është poezia dhe proza, çfarë është punimi shkencor e kështu me radhë

Shkëlzen HALIMI
Shqiptarët në Maqedoni nuk mund të ankohen sa i përket botimit të librit. Vit për viti botohen libra të ndryshëm dhe me bollëk. Është çështje tjetër që herë pas herë dëgjohen zëra për krizë leximi. Mungesa e madhe e kritikës, mungesa e trajtimit nga ana e mediumeve, por edhe mungesa e një kontrolli institucional, ka bërë që 90 për qind e këtyre botimeve të jeni gjithçka tjetër, por jo edhe produkt që do të mund të quhet LIBËR.
Në fakt, në fushën e botimeve ka kohë që mbretëron një anarki e vërtetë, e cila vazhdon të ushqehet në mënyrë të pavetëdijshme. Botimin e titujve pa vlerë e përcjell një indiferencë e çuditshme, por edhe një heshtje e turpshme. Edhe për këtë të keqe që ka katandisur shoqërinë shqiptare mungon debati, po qoftë ky edhe debat sipërfaqësor.
Botimi është bërë më shumë modë se sa nevojë shpirtërore. Tendenca e botimit të “librave shkencore” të atyre shumë individëve që gjetën “hapësirë pjellore” për t’u bërë me tituj shkencorë, tregon se, si pasojë e mungesës së një mekanizmi kontrollues, këta tituj nuk e kanë as nivelin e një hartimi të thjeshtë shkollor.
Natyrisht, nuk duhet pritur që dikush të skuqet nga kjo zallahi që i bëhet librit shqip, sepse akoma vazhdon të trajtohet si çështje e dorës së dhjetë. Kjo fatkeqësi ka bërë që të prodhojë të tjera absurde, të cilat gjejnë vend të volitshëm në mentalitetin provincial, të cilin mentalitet e kultivojmë me një pasion të çuditshëm. Bëhet fjalë për numrin e madh të “festivaleve e takimeve poetike”, në të cilat lexohen fjalë të hedhura në letër (e letra duron gjithçka). Kurrë nuk pati përpjekje që shqiptarët në Maqedoni t’i tejkalojnë klanet e ndryshme “letrare”, por edhe ta lënë anash mentalitetin provinciale dhe të organizojnë në festival të vërtetë poetik, me të gjitha nishanet e duhura. Mos të flasim për promovimet tragjike-komike, që janë bërë dukuri të përditshme, në të cilat shkohet ose për të defiluar politikanët lokalë ose për të ngrënë kikirikë. Pra, “interesimi” për librin përfundon te kikirikët. Dhe këtu mbyllet gjithçka.
Prandaj, që të shpëtohet libri shqip nga abuzuesit e shumtë, së pari duhet ndarë shapi nga sheqeri dhe duhet ditur se çfarë është poezia dhe proza. Çfarë është punimi shkencor e kështu me radhë. Kurse kjo ndërlidhet me sistemin e arsimit shqip ( që është në gjendje kome), sepse njohuritë e elementare rreth gjuhës e letërsisë merren vetëm përmes procesit të shkollimit të shëndoshë, të cilin proces shqiptarët (në Maqedoni) që moti e kanë harruara, duke ia lënë shtegun hapur atyre elementeve që në parim janë analfabetë, por të cilët politika e “dorës së fortë” i bëri promotorë të akulturimit të shqiptarëve.

dhuro
Loading...
Global