Mbi pesëdhjetë konkurse për punësim në sektorin publik aktualisht janë të hapura nga Agjencia e Punësimit, të cilat tregojnë se në këtë periudhë më së shumti punësojnë komunat dhe ministritë.

Këto konkurse të hapura pas marrëveshjes së liderëve për zgjedhje në prill, për Ministrin e Administratës Damjan Mançevski janë rutinë punësimesh.

Po, dhe do të shpallim sërish konkurse, gjatë gjithë kohës e them këtë. Nuk do të ndalohen punësimet, institucionet kanë nevojë – janë materie e gjallë. Nuk shpallim ne si ministri dhe nuk kemi evidencë kujt se çfarë i duhet, prandaj ka udhëheqës të institucioneve. Ne bëjmë analizën që do ta prezantojmë dhe do të determinojmë se cilat janë teprica e vendeve të punës – tha Damjan Mançevski, Ministër i Administratës.

Mançevski tha se çdo fund viti ata që pensionohen duhet të zëvendësohen me punësime të reja, pavarësisht periudhës zgjedhore, meqë sipas tij nuk kanë mundësi ligjore ta ndalojnë një gjë të tillë.

Kemi projekt të financuar nga BE, IPA projekti ka filluar. Njerëzit kanë filluar të punojnë ku do të kemi analiza konkrete të bëra sipas metodologjisë së ekspertëve ndërkombëtar. Mos të dalin që ne vetëm e kemi bërë, se ka ndikim politika përpara zgjedhjeve. Gjithçka do të jetë transparente – tha Damjan Mançevski, Ministër i Administratës.

Sipas Kodit zgjedhor, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve ndalohet punësimi si dhe furnizimet publike. Nga Zyra e BE-së në Shkup thonë se ky fenomen negativ duhet të ndërpritet.

Kjo është një çështje që në botën ideale do të duhet të ndërpritet. Kjo është një çështje që duhet të punohet në të. Nuk është evidente vetëm në këtë rajon, por gjithashtu është edhe brenda shteteve të BE-së. Por, duhet të punohet fuqishëm për të limituar këtë fenomen që të mos cenoj tërë procesin – u shpreh Srek Janmaat, Zyrtar i BE-së në Shkup.

Komuna e Strugës e udhëhequr nga Ramiz Merko kryeson në këtë listë, duke hapur konkurse për 30 punësime të reja. Qyteti i Shkupit ka hapur konkurs për 21 punësime. Komuna e Ohrit dhe e Karposhit kanë hapur nga 10 vende të reja të punës. Ministria e bujqësisë e udhëhequr nga Trajan Dimovski do të punësoj 14 persona, Ministria e Drejtësisë së udhëhequr nga Renata Deskoska do të punësoj 9, kurse Ministria e Shëndetësisë aktualisht ka nevojë për punësimin e dy personave. Për dallim nga periudha e mëparshme, numri i konkurseve për punësim është rritur deri në 60 për qind.

Loading...
Global