Komuna e Strugës ka shpallur konkurs për punësimin e tridhjetë personave që duhet të jenë pjesë e administratës lokale. Kërkohen bashkëpunëtorë të rinj në disa pozita, për avancimin e zejes dhe turizmit, avancimin dhe zhvillimin e hotelierisë, për bashkëpunim me të rinj, për shembull për transport të udhëtarëve, referentë të lartë, udhëheqës sektori, bashkëpunëtorë dhe bashkëpunëtorë të lartë. Paga më e ulët neto që pritet ta marrin nëpunësit e ri është 15.843 denarë kurse më e larta 30.076 denarë. Kjo ndodh në momentin kur komuna ballafaqohet me llogari të bllokuar prej vitit 2010 dhe me borxh prej 5,5 milionë euro.

Dy ditë pasi u shpall konkursi për 30 punësimet e reja në komunën e Strugës, në vetëqeverisjen lokale sot heshtin. Edhe krahas përpjekjeve të shumta të Alsat për të kontaktuar me kryetarin Merko, ai ishte i pakapshëm.

dhuro

Ndaj kësaj reaguan partitë opozitare në Strugë, Aleanca për Shqiptarë dhe VMRO DPMNE.

Nuk është marrë raporti i fundit i revizorëve, ku qartë tregohet që komuna e Strugës ka kondicion të dobët financiar dhe funksionon me xhiro- llogari të bllokuar. Nuk u dëgjua as opinioni i Strugës, i cili e ka të qartë që nuk ka vend për punësime të reja, nuk ka karrige për ta e mos të flasim byroja pune apo kompjuterë. Kuptohet që janë punësime partiake, për këtë shkak konkursi bëhet para zgjedhjeve- deklaroi Mirçe Axhioski- VMRO DPMNE, Strugë.

Pas ardhjes së Ramiz Merkos në postin e kryetarit të komunës, trefish është rritur korniza financiare që Gjykata i ka caktuar Komunës. Komuna tani në nivel mujor mund të shpenzojë 50 milionë denarë, për dallim nga vitet e kaluar, kur shpenzimet mujore ishin të kufizuara në 22 milionë.

Zëvendës- kryetari i Komisionit anti- korrupsion, Nuri Bajrami sot për Alsat tha se kanë marrë vendim për ngritjen e një nisme për ndjekje penale të kryetarit Merko para prokurorisë kompetente publike, në bazë të raportit të Entit shtetërorë për revizion nga 25 tetori i këtij viti.

 U morr vendim që të dorëzohet parashtresë pranë Këshillit gjyqësorë për rishqyrtimin e vendimeve të marra nga Gjykata Themelore e Strugës, lidhur me kërkesën e rritjes së minimumit të mjeteve për kryerjen e veprimtarisë bazë nga ana e komunës së Strugës- tha Vizrd Nuri Bajrami- zv/ kryetar i Komisionit anti- korrupsion.

Bajrami shtoi se parashtresa është duke u përgatitur dhe së shpejti do të dorëzohet pranë Këshillit gjyqësor si dhe të gjitha aktet që janë miratuar, të cilat do të dorëzohen në adresat e nevojshme.

Alsat kontaktoi edhe kryetarin e gjykatës themelore në Strugë, Izet Bajramoski i cili tha se korniza financiare e komunës është rritur në bazë të ekspertizave të mëparshme dhe analizave për nevojat e saja financiare, por nuk tregoi diçka më konkretisht për çfarë projekte bëhet fjalë. Tha se është në udhëtim zyrtar kurse paralajmëroi deklaratë për nesër. Komisioni kundër korrupsionit kërkon nga Këshilli gjyqësor të nis procedurë për kryetarin e gjykatës së Strugës, që të vërtetojë nëse vendimi nëse rritja e trefishtë e buxhetit të komunës është bërë për shkak të presioneve politike./ALsat-M/

Loading...
Global