Kandidati për kryeministër nga radhët e AAK’së dhe vëllau i tij, njëkohësisht edhe kandidati për deputet nga e njëjta parti, Ramush e Daut Haradinaj, kanë reaguar pas thirrjes së kandidatit për kryeministër nga radhët e PDK’së, Kadri Veselit nga Gjykata Speciale.

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Veseli ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë dhe do ta mbrojë pastërtinë e kësaj lufte me dinjitet.

“Kadri Veseli, si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë mbi popullin e Kosovës, si çdo luftëtar i lirisë, dhe do ta mbrojë pastërtinë e kësaj lufte me dinjitet”, theksoi Haradinaj.

Tutje, Ramush Haradinaj, shprehet i bindur se edhe kësaj radhe e vërteta do të ngadhënjejë.

“I bindur se edhe kësaj radhe do të ngadhënjejë e vërteta dhe e drejta jonë”, shprehet Haradinaj.

Ndërsa, kandidati për deputet, Daut Haradinaj, doli në përkrahje të Veselit.

“Si për çdo luftëtarë, ashtu edhe për Kadri Veselin kam qenë dhe do jem në përkrahje”, shkruan Haradinaj.

Krejt në fund, Daut Haradinaj, i thotë Veselit “Të priftë e mbara i nderuar, dalsh faqebardhë”.

Kujtojmë se kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, dha dorëheqje me 19 korrik me arsyetimin se u ftua nga Gjykata Speciale.

Loading...
Global