Ministrat e Jashtëm të BE-së përfunduan sot kornizën ligjore që e lejon unionin të vendosë sanksione ndaj Turqisë në lidhje me aktivitetet e eksplorimit të gazit në brigjet e shtetit anëtar Qipro, të cilin Bashkimi Europian e konsideron si të paligjshëm.

Kjo çështje ka nxitur tensionin e marrëdhënieve me Ankaranë duke e shtyrë Bashkimin Europian të marrë një seri masash ndëshkuese në korrik, përfshirë pezullimin e negociatave për një marrëveshje në sektorin e aviacionit. Këto nuk kanë pasur efekte të dukshme.

Pas vendimit të së hënës, BE-ja do të jetë në gjendje të vendosë ndalime të udhëtimit dhe ngrirje të pasurive për individët dhe subjektet që janë përgjegjës për aktivitetet e shpimit të puseve të gazit brenda ujërave territoriale të Qipros.

“Në rastet e një mosmarrëveshjeje lidhur me ujërat territorialë, sanksionet e BE-së gjithashtu mund të shënjestrojnë aktivitete të cilat mund të rrezikojnë ose pengojnë arritjen e një marrëveshjeje që përcakton kufijtë”, sipas një deklarate të BE-së.

Sanksionet mund të prekin këdo që ofron mbështetje financiare, teknike ose materiale, si dhe persona ose subjekte që lidhen me këto. I takon shteteve anëtare të propozojnë individë ose organizata të cilët do të jenë pjesë e listës së sanksioneve, për sa kohë që do të ekzistojnë prova të shëndosha juridike kundër tyre.

Nicosia u ka bërë thirrje partnerëve të BE-se të ndërmarrin veprime, pasi Turqia dërgoi dy anije për të shpuar puset në ujërat e konsideruara nga Qipro si pjesë e zonës së saj ekskluzive ekonomike.

Ankaraja ka deklaruar se aktivitetet saj për kërkimin e gazit ishin në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Loading...
Global