Para një viti Qeveria e Kosovës vendosi t’i përgjigjet fushatës së Serbisë për heqjen e njohjeve me taksë prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia. Taksë iu vu edhe Bosnjës e cila importonte në Kosovë pa njohur asgjë të saj.

Ky veprim, me të cilin u identifikua Ramush Haradinaj shkaktoi ndërprerjen e dialogut me Serbinë ndërsa acaroi raportet e tij me BE’në, e cila në vazhdimësi bën thirrje për heqjen e taksës. Në praktikë bllokada kosovare ua çeli pak sytë konsumatorëve për prodhimet vendëse, ndërsa Beogradit e Sarajevës ua humbi tregun që e kishin të sigurt prej vitesh me rreth gjysmë miliardi eksport.

Raftet e marketeve kosovare që deri vonë ishin të mbushura me produkte nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, tashmë janë zbrazur. Në vend të tyre tani janë vendosur produktet nga Shqipëria, Gjermania, Bullgaria e Italia.

Zëvendësimi i këtyre produkteve ka filluar që nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar, shkaku i taksës për produktet që importoheshin nga këto dy shtete.

Nga ky vendim i institucioneve kosovare, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina u dëmtuan për qindra miliona euro. Kjo dëshmohet edhe në statistikat e importit.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci i ka thënë Gazetës Express se që nga vënia e taksës 100 për qind, vlera e importit nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka rënë në 6 milionë euro.

Krahasuar me vitin e kaluar, importi ka rënë për 99 për qind.

“Deri tani kemi pasur import nga Serbia dhe Bosnja rreth 6 milionë euro pra rreth 3.3 nga Serbia dhe 2.7 nga Bosnja. Derisa vitin e kaluar kemi pasur 365 milionë import nga Serbia dhe rënia është 99%. Si rreth 65 milionë nga Bosnja ku rënia është 96%”, ka thënë Stavileci.

E përderisa para taksës importoheshin një numër i madh i produkteve nga këto vende, tash sipas Stavilecit importohen vetëm disa produkte industriale, mirëpo edhe ato në sasi të vogël.

Zëdhënësi i Doganës tregon se produktet që vinin nga kët dy shtete më herët, tash importohen nga Shqipëria, Gjermania, Bullgaria e Italia.

“Ne kemi vërejtur që disa shtete kane rritur importin e tyre drejt Kosovës siç janë Gjermania, Italian dhe bullgaria si dhe normalisht Shqipëria, thuhet në përgjigjet e Stavilecit drejtuar Gazetës Express.

E ndonëse pritej që pas taksës, kontrabanda me mallra të shënonte rritje, statistikat tregojnë që numri i rasteve të kapura është pothuajse i njejtë me para taksës.

Në Doganë thonë se tash kontrabandohen vetëm mallrat ushqimore.

“Përkundër përgatitjeve te doganës per kontrabandë te mundshme statistikat tregojnë qe nuk kemi rritje pasi niveli i rasteve te kapuara ka mbetur pothuajse i njëjte me periudhën para taksës. Por një zhvillim interesant ishte qe para taksës hasnim ne mallra te kontrabanduara me vlera me te mëdha tani kemi vlera te ultë pasi tentimet janë kryesisht me mallra ushqimore”, ka thënë Stavileci.

Ndërkohë, dy subjektet politike që pritet ta krijojnë Qeverinë e re, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK’ja, kanë paralajmëruar se taksa apo tarifa doganore mund të zëvendësohet me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili është edhe kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër të Kosovës, ka deklaruar se është i gatshëm dhe i interesuar që tarifën 100 për qind, të zëvendësojë me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, siç ka thënë ai, në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011.

“Edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, certifikatës së prodhimit të mallit, edhe sa i përket targave të automjeteve, qofshin për qarkullimin e udhëtarëve apo të mallrave, shpedicionit e kështu me radhë, qoftë sa i përket investimeve te njëri- tjetri, duhet ta përdorim parimin e reciprocitetit si garantues normal i bilateralizmit konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti.

Një masë reciprociteti, Qeveria e Kosovës kishte zbatuar ndaj Serbisë në muajin korrik të vitit 2011, por vendimi ishte zbatuar vetëm për 50 ditë dhe më pas ishte shfuqizuar.

Edhe kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët ka thënë se tarifa duhet të bëhet pjesë e marrëdhënieve reciproke me Serbinë, qoftë reciprocitet politik, por edhe ashtu ekonomik, dhe pastaj, sipas saj, Kosova do të insistonte që Serbia mos të kushtëzojë uljen në tavolinën e Brukselit apo të Bashkimit Evropian me tarifën.

Ndryshe, para vendosjes së taksës, tregu i Kosovës ka qenë i mbushur me produkte nga Serbia. Ky vend ka qenë eksportuesi më i madh i mallrave në vend.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1.2 milion euro në ditë apo mbi 400 milionë euro në vit, ka qenë vlera e produkteve që kanë hyrë nga shteti i Serbisë në tregun e Republikës së Kosovës. Ndërkaq, vlera e prodhimeve “Made in Kosova” në territorin e Serbisë ka qenë rreth 40 milionë euro në vit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo edhe shfuqizimin e kësaj takse, pasi ajo u konsiderua si shkak që Serbia të tërhiqet nga tavolina e bisedimeve me Kosovën, deri në heqjen e tarifave doganore apo taksës.

Loading...
Global