Kryeministri Zoran Zaev pret që Sofja zyrtare të mbështesë marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në, duke iu referuar edhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim. Sipas tij, çështja e identitetit nuk diskutohet në Shekullin 21, dhe përmes ujdisë së nënshkruar me homologun bullgar Borisov synojnë t’i tejkalojnë edhe pikat e së kaluarës së përbashkët historike.

Kryeministri Zaev tha se mundësia që të fillojnë bisedimet me BE-në, nuk është vetëm në interes të vendit por edhe të rajonit pasi do të garantonte paqe, stabilitet, siguri dhe ardhmëri ekonomike në të gjithë Ballkanin.

Unë besoj se Bullgaria do të mbështesë marrjen e një date për fillimin e negociatave të RMV me BE. Kaq gjatë pritëm një vendim, tani më 15 vjet. Është gjithashtu një detyrim i Marrëveshjes që kemi, për të cilën duhet t’i përmbahemi nga të dy palët. Jam i lumtur që kemi arritur një Marrëveshje mbi miqësinë, fqinjësinë dhe bashkëpunimin. Kjo Marrëveshje ka përmbledhur kapituj të rëndësishëm deri më tani, me siguri duke ndaluar një kapitull jo aq të lehtë, të cilin duhet ta zgjidhim përmes komisioneve të formuara nga të dy palët. Ne synojmë të vazhdojmë zgjidhjen e çështjeve dhe gjetjen e mënyrave nga të cilat të dy vendet dhe të dy popujt do të dalin fitimtarë”-tha Zoran Zaev, kryeministër.

Ai tha se sikur arritja e Marrëveshjes me Greqinë ashtu edhe Marrëveshja me Bullgarinë do të vazhdojnë t’i zbatojnë detajet e ujdive me fqinjët paralelisht me udhëheqjen e negociatave me BE-në. Zaev tha se një lojë fjalësh në këtë situatë mund të keqinterpretojë deklaratat, duke pasur parasysh se Bullgaria është në prag të zgjedhjeve dhe zyrtarët atje kanë kujdes të lartë në deklaratat e tyre.