Kryeministri Zoran Zaev sot pasdite arriti në Serbi, ndërsa në aeroportin e Beogradit “Nikolla Teslla” e priti ministrja serbe për eurointegrime, Jadranka Joksimoviq, pas çka me delegacionin u nis drejt Novi Sadit, ku nesër, në Pavijoni e oficerëve në Kalanë e Petrovardinit, do të marrë pjesë në takimin trepalësh me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Siç paralajmëruan nga Kabineti i presidentit serb, pas përfundimit të takimit, i cili duhet të fillojë në orën 9:00, tre liderët do t’iu drejtohen mediumeve.

Nisma për këtë takim buroi nga takimi i tyre në margjina të Asamblesë së përgjithshme të KB-së në Nju-Jork, nga fundi i muajit të kaluar, kur presidenti serb Vuçiq e konfirmoi takimin, duke paralajmëruar se ata vijnë në Serbi në gjysmën e parë të tetorit në takim kushtuar mënjanimit të barrierave doganore apo siç theksoi, me to “e inicoi idenë për mënjanim të mëtutjeshëm të barrierave të ndryshme për zhvillim të biznesit në territorin e tre shteteve tona dhe qarkullimin e lirë të mallrave, njerëzve dhe shërbimeve”.

Krahas deklaratave të shumta të ministrave serbë për të ashtuquajtur “shengen të vogël”, presidenti serb duke e sqaruar temën e takimit deklaroi se do të bisedojë për idenë për krijim të një lloji të “Cefta plus-plus”, përderisa në paralajmërimin për takimin e nesërm trepalësh, mediumet beogradase e cituan deklaratën e Vuçiqit, i cili vlerësoi se bëhet fjalë për “ide epokale” e cila ka marrë “konsensus të plotë” nga kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Loading...
Global