Fadil LUSHI

Disa ditë më parë, në agshol të dritës, tek isha “shumë i zënë me hallin” për gjetjen e një teme të përshtatshme për shkrimin e radhës, më cingëroi celulari. Andej matanë më erdhi një zë i trashë i një njeriu me moshë të thyer! Ç’është e vërteta, kjo zhurmë e lehtë dhe e zgjatur, lëre që “paksa më shqetësoi, por edhe ma përbuzi rehatinë dhe atë pak qetësi që kisha!” Fillimisht më shkoi mendja te miku im i dashur, me të cilin njihem që nga vitet e tetëdhjeta, m’u nga kohët kur ish-komunistët, kundërshtarëve politikë dhe të papajtueshëm si ne, lëre që na e “merrnin masën e samarxhiut”, por edhe na “sikterisnin” a na detyronin të shkonim diku në shtetet e Evropës prej “rrospie”, kurse ca të tjerë të iknin në Amerikë, për të kërkuar punë! Në atë kohë unë merresha me mbulimin e çative me tjegulla diku në Zvicër, ndërkaq miku im bënte punën e “bojaxhiut” dhe patriotit në një qytezë të Bavarisë së Gjermanisë! Që kur e mora në telefon isha i detyruar ta çoj zërin në qiell, njësoj si të gardianit të burgut! Këtë ngritje të zërit e bëra për arsye se ky, miku im, nga veshët është paksa “hafif!” Në përgjigjen e tij të “nxituar dhe të ftohtë, më shumë kishte inate dhe urdhra të prerë, sesa ngrohtësi!”…, ma ktheu duke më thënë: “Do vish te mejhaneja e haxhi-babës që të takohemi! Kam ndërmend të ndez muhabetin sa u përket disa çështjeve të harruara, të vjetra dhe të ngatërruara, njësoj si qimet e mjekrës të arapit! Ki parasysh, unë do të paguaj kafenë, ndërsa ti do të faturosh dopion prej rrushi!” Eh, ç’më zuri “belaja” me mikun që “i kanë ikur toptan fiqiret!” Pasi u takuam, vërejta se në strajcën e tij kishte një bukë çerepi dhe dy letra të zhubrosura! Njëra letër ishte e shkruar anglisht, tjetra “shkinisht!” Pasi vuri prapanicën në karrige, pa një pa dy dhe pa vënë gjë në gojë, ashtu “esëll dhe me një frymë e shteri gotën”. Më tha: “Ore, qerrata, miqtë e t’u, më treguan se dje ta paskëshin parë surratin tënd të shëmtuar te gazeta e z. Dullovit dhe z. Ratkocerit!” Unë ia ktheva, po më thuaj, a mos vallë ti e pe shkrimin tim…, më tha: “…, unë nuk kam kohë t’i shikoj shkarravinat e tua e lëre më t’i këndoj ato!”…, pastaj filloi të më “sulmojë” me pyetjet e tij të “pakuptimta, disa me temsile dhe ca të tjera me kunja!”

Pyetja e parë e tij ishte: “…, pa më trego, xhanëm, ç’punë bën kur nuk të merr gjumi, çfarë ngjyre kanë marrëzirat e tua të (pa)zakonshme…, ç’bën kur nuk shkon në pazar, ç’bën kur plaka ta kthen fjalën, ç’punë bën kur nuk gjezdis mendjen, ç’bën në mexhlise kur nuk e merr fjalën, si reagon kur budallai ta bën mendjen lëmsh, kos dhe livadh, si reagon kur hesapi i shtëpisë nuk të del në çarshi, ç’bën kur të shteret pensioni, si reagon kur rrallohen selamet e miqve kurbetçinj, e të tjera bëma tua!“ Pavarësisht se “zilet e mia s’më linin të dëgjoj këmborët e tij”, pa marrë parasysh se mendja më shkonte tek ato dy letra të zhubrosura, isha i “detyruar që përgjigjet t’ia ndërtoj” një nga një dhe “bythëprapthi!” I thashë:.., kur nuk më merr gjumi, në “sabah herët vishem dhe sillem si lugat”, mandej pasi zbardh agimi “zgërdhihem” dhe luftoj me vetveten si dhe numëroj budallakitë e mia më të hershme…, mandej kur nuk shkoj në “pazare”, filloj t’i ofendoj thashethemexhinjtë…, ata që ma kthejnë fjalën dhe ma bëjnë mendjen çapraz, “i çoj në…, sikter Boris!”, kur “derdimeni” nuk ma përfill a nuk ma vlerëson fjalën në kuvende prej “tallavai”, atëherë detyrohem të bëj “gjullurdinë!”, kur “gjezdis” mendjen, marr në dorë zaret, kur mërgimtarët “harrojnë të më përcjellin selame”, atëherë filloj pak nga pak “tua shaj” lejet e punës dhe ato të qëndrimit! Në fund, mikun tim e “gënjeva sy ndër sy” duke i thënë: Unë, që prej ditës që jam kthyer në vendlindje (aty ku gjendet “Xhamia e Pashait”), në çdo katër vjet “me shumë dashuri” bëj patriotin dhe premtuesin e rremë…, lëre që nuk marr “pesëqindlekëshin”, bën vaki, që herë pas here, ata që njihen si njerëz dorëdhënë dhe që ma “begenisin punën dhe fjalën time”, nuk ma japin “bakshishin” që më takon!

Bashkëbiseduesi im që në fillim e kuptoi se e “gënjeva sy ndër sy!”…, sepse ai fare mirë e njeh moralin e “bojaxhiut” të mirëfilltë dhe atë moralin e dyfishtë të “bakshishit”…, sepse gjatë kohë ka lyer shtëpitë e bavarezëve, sepse…! Për fat të mirë, pasi “harroi ta ndezë muhabetin karshi çështjeve të harruara, të vjetra dhe të ngatërruara, njësoj si qimet e mjekrës së arapit!”, ftoi kamerierin dhe bëri porosinë e radhës…, kërkoi edhe një “dopio”, jo prej rrushi.., e donte atë “rakinë e egër të Skraparit!” Pasi edhe këtë e “shteri me një frymë”, filloi të më “qortojë”…, duke më thënë: “Eh, miku im i dashur, unë, ti dhe shumë të tjerë shqiptarë të brezit tonë, sikur ta kishim të zgjidhur çështjen e dygjuhësisë dhe shumë çështje të tjera politike, këtu në atdheun tonë, ti nuk do ikje në Zvicër, unë në Bavari dhe shumë të tjerë kushedi ku…, unë nuk do të bëja bojaxhiun e ti tjegullarin, ti sot nuk do bëje a redaktoje shkrimin, opinionin a edhe analizën prej rebeli, nuk do ta bëje me mllef e me ironi therëse dhe të hidhur, me siguri nuk do ta ftilloje me atë inatin homerik, unë nuk do të pranoja ta bëja brigadierin e bojaxhinjve…, ti sot nuk do të merrje ndihmën sociale…, se ti, unë dhe shumë shqiptarë të gjeneratës sonë të moteve të gjashtëdhjeta, nuk do të kishim nevojë të kërkonim katër kalemat…, nuk do të na interesonte se si duket teksti i draft-versionit të Komisionit të Venecias ndaj Ligjit për gjuhët, mandej nuk do të dalldiseshim me atë Propozimligjin (i shndërruar në tërkuzë dhe çorapë prej leshi) lidhur me regjistrimin e popullatës, amvisërive, banesave, kokoshkave, papagajve e të tjerë qenie të gjalla!” Pavarësisht se “miku im u shndërrua në dysheme prej dërrase!”.., isha i detyruar ta shlyej faturën!

Miku im i dashur! Nëse nuk të mërzita me “shkarravinën”…, më bëj një: “Aferim të qo-ftë!“…, nëse jo për diçka tjetër, atëherë bëje për “faturën time të fryrë!”

Loading...