Sulmuesi shqiptar nga Kumanova që luan për Nauchatel Xamax, Taluant Seferi, ka rrëfyer se si po ndihet tani që ëndrra e tij, të jetë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, i është bërë realitet.

Gjatë ditëve në vijim, Shqipëria do të përballet me Kombëtaren e Turqisë fillimisht të premten në orën 20:34, në kuadër të xhiros së shtatë të Grupit H kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, transmeton Gazeta Express.

Vetëm katër ditë më vonë, Shqipëria do ta zhvillojë edhe një ndeshje si mysafire, këtë herë kundër Moldavisë, sërish në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Seferi ka bërë të ditur se atmosfera në kampin e Kombëtares kuqezi është shumë pozitive dhe se ai dëshiron të jetë pjesë kësaj skuadre përgjithmonë.

“E kam ndjekur gjithmonë kombëtaren. Këto dy ditë që jam këtu jam shumë i befasuar, pasi çunat më kanë pritur shumë mirë. Po shoh pozitivitet dhe shpresoj ta sjellim edhe në ndeshjet e ardhshme. Kam pritur ftesën, kam dëshirë të jem pjesë e kombëtares përherë. Shpresoj të bëj më të mirën” , u shpreh Seferi gjatë konferencës për shtyp.

“Minutat? E rëndësishme është që ndihem mirë, pastaj do marr apo jo minuta, vendos trajner. Do bëj maksimumin në stërvitje dhe do jem gati edhe për ndeshje. Dëmtimi? Dy ndeshjet e fundit nuk luajta nga fillimi, për shkak dëmtimi. Tani ndihem mirë dhe i gatshëm”.

“Trajneri ka marrë në kombëtare ata që po luajnë dhe janë në formë. Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme dhe duhet të përqendrohemi të luajmë për fitore. Patjetër na duhet të fitojmë për të patur suksese. Jemi një grup shumë i mirë dhe ka shumë pozitivitet”.

“Moduli? Nuk kemi punuar shumë taktikisht. Nuk e kam problem të luaj në krah, apo në qendër. Tani po luaj në qendër. Luaj kudo që kërkon trajneri”.

Loading...