Më shumë se 160 mijë persona janë larguar nga Siria e veriut, ndërkohë që sulmi turk përshkallëzohet, sipas Zyrës së OKB për Bashkërendimin e Punëve Humanitare.

Agjencia thotë se raportimet për njerëzit që zhvendosen sa vjen e rritet, ndaj numri real mund të jetë më i lartë. Autoritetet kurde thanë se janë zhvendosur 275 mijë persona deri tani.

Ndërkohë, zv/presidenti turk tha për Sky News se Turqia nuk do të zmbrapset nga operacionet ushtarake dhe s’do të diskutohet asnjë armëpushim me forcat kurde në Siri.

“Nuk mund të negociosh me terroristë”, tha Fuat Oktay. “Nuk është realiste dhe partnerët tanë në Evropë e NATO duhet ta ndryshojnë qëndrimin”, shtoi ai.

SHBA, ndërkohë, ka premtuar sanksione të ashpra ndaj Turqisë nëse nuk merr masa për armëpushim.