Kur dy njerëz ndeshen me “dashurinë me shikim të parë”, ndodh që asnjëra prej palëve nuk ka qenë në atë moment në kërkim të dashurisë. Ajo që ndodh është e panjohur, e paprovuar dhe plot emocion. Një djegie intensive, ndjesi sikleti e dhimbjeje të mrekullueshme në të njëjtën kohë…

Rreziku i vetëm që ndodhet aty mes dy njerëzve është: “Të besosh në mënyrë të menjëhershme në iluzionin e ndodhisë më të bukur në jetë!”. Dashuria me shikim të parë është një mundësi e mirë që të mësojmë të njohim edhe më mirë vetveten. Pasi kjo dashuri sinjalizon një mungesë në jetën tonë ose një dëshirë për ndryshim.

Një gjendje e lumtur dashurie që nuk zgjat shumë

Është një përjetim i bazuar në projeksion dhe jo në realitet. Të hipnotizuar nga disa detaje të vogla, si buzëqeshja, timbri i zërit, një veçanti fizike, lëvizjet… rrezikojmë të besojmë se ajo që na mungonte deri më tani ishte pikërisht ky moment. Por, sa më shumë e njohim personin, aq më shumë vëmë re se ndoshta e kemi idealizuar tepër.

Dashuria me shikim të parë, e kundërt me dashurinë afatgjatë

Me dashurinë afatgjatë nënkuptojmë dashurinë reale, atë që çiftet në mbarë botën e përjetojnë gjatë gjithë jetës së tyre. Shpesh, njerëzit që besojnë në dashurinë me shikim të parë dhe që kanë përjetuar episode të tilla dashurie, besojnë se personi që kanë përballë është përgjigjja e asaj që u kishte munguar deri në atë çast të jetës së tyre. Që një dashuri të zgjasë dhe të kthehet në dashurinë afatgjatë të shumëpritur duhet që të zbulojmë tjetrin dhe veten njëkohësisht, duke jetuar së bashku dhe duke u zhytur në jetën reale.

Rreziku i reciprocitetit imagjinar

Në dashuritë me shikim të parë, vetëdija për iluzionin është veçanërisht e vështirë. Në të vërtetë, nuk jemi të aftë të kuptojmë se kemi të bëjmë me një dashuri të shenjtë, të bekuar dhe se jemi në rrugën e drejtë për fatin tonë. Nuk kemi të bëjmë vetëm me lindjen e një ndjenje dhe të një lidhjeje dashurie, por është edhe ajo e tjetërsimit dhe përballja me realitetin shndërrohet e bëhet gjithnjë e më e dhimbshme. Sipas psikologut Alain Delourme, dashuria me shikim të parë domosdoshmërisht shkakton një krizë, por kjo nuk është gjithmonë e papërballueshme deri në fatalitet. Për më tepër, shumë histori të bukura e të gjata dashurie kanë filluar në këtë mënyrë, nga goditja rrufe e dashurisë me shikim të parë.

KËSHILLA QË NJË DASHURI ME SHIKIM TË PARË TË MBIJETOJË

1-Qëndroni me këmbë në tokë

Ndjeni se po fluturoni dhe se jeta është më e bukur tani. Euforia e fillimit është në intensitetin e saj më të lartë. Që ky përjetim të mbetet i kthjellët: Merrni disa hapa, por duke mos e idealizuar personin që keni filluar të pëlqeni, pasi kështu rrezikoni të zhgënjeheni nga njohjet e mëvonshme.

2-Përfitoni nga e tashmja

Dashuria me shikim të parë është armike me punët e mendjes. Ju ndërkohë jeni duke përjetuar flutura në stomak dhe sytë ju shkëlqejnë nga gëzimi. Atëherë, përfitoni nga kjo ndjesi! Mos bëni pyetje parazitare si: “A i pëlqej atij?”, “A jam tërheqëse, interesante?”. Kini besim te vetja dhe lëreni dashurinë të jetojë brenda jush. Shmangini krahasimet me të tjerët dhe lëreni të shkuarën me kujtimet, duke i lejuar vetes përjetime të reja plot emocion.

3-Mos u nxitoni

Ndjeni se kaq ditë njohje ju kanë dhuruar lumturinë e munguar? Pranojeni, duke menduar se ashtu si gjithë të tjerët edhe ju keni të drejtën e lumturisë në këtë botë. Por, lëreni marrëdhënien e re të zhvillohet natyrshëm dhe pa sforcime. Mos bëni projekte më larg se nesër… pasi kështu do të rrezikoni të prishni magjinë e momentit.

4-Kontrolloni impulset

Sekreti i një pasioni që mund të zgjasë për shumë gjatë? Ta lësh të marrë frymë lirisht! Marrëzia e dashurisë është e karakterizuar nga momentet e para të dashurisë me shikim të parë. Furia dhe vrulli emocional janë të natyrshme, por për mbijetesën e marrëdhënies së re ju duhet ta frenoni veten tuaj. Në fillimet e dashurisë me shikim të parë, ndihet nevoja për praninë e gjatë të personit tjetër. Ta ndjesh pranë, të flasësh gjatë me të, të bësh çdo gjë me të etj. Në vend që të veproni në këtë mënyrë, jepini hapësirë vetes për t’u marrë edhe me gjëra të tjera. Vazhdoni të argëtoheni edhe pa subjektin tuaj të dashurisë. Kështu, do të nxisni mungesën: e domosdoshme për të rizgjuar ndjenjat tuaja reciprokisht.

Loading...