Disfatat me Barcelonën dhe Juventusin nuk kanë ridimensionuar ambiciet e Interit dhe të një prej lojtarëve më të rëndësishëm, Milan Skriniar.

Ai ka thënë se me Antonio Conten në stol, po punojnë për të fituar.

“Ne, nga dita e parë e grumbullimit, punojmë për të fituar. Duam të fitojmë. Duhet të vazhdojmë kështu. Conte na ka ndryshuar mentalitetin, pasi vetë e ka një mentalitet fituesi. Nuk duhet të dorëzohemi kurrë, do ta provojmë deri në fund”.

“Knock-out”-i i “San Siros” kundër Juventusit, sipas mbrojtësit që spikati që në vitin e tij të parë me Interin, si një ndër më të mirët e kampionatit mund, të jetë një stimul për të bërë akoma më mirë.

“Kemi pësuar humbjen e parë të këtij kampionati, por nuk luajtëm keq. Ata shënuan, ne jo. Duhet të punojmë më shumë.”

Në fund, një pyetje edhe në aspektin personal.

“Unë, kapiten që ngre trofe? Do të më pëlqente, por tani punoj për të bërë mirë për skuadrën time. Të bëhem mbrojtësi më i fortë në botë? Nuk është në mendjen time. Duhet të rritem, jam i lumtur nëse të tjerët mendojnë se kjo është e mundur, por unë mendoj për të mirën e skuadrës”.