Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur dëshpërim që Këshilli Evropian nuk i pranoi “përpjekjet shumë të fuqishme reformuese” të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe nuk u dakordua për fillimin e negociatave aderuese me të dy vendet.

“Vendimi pozitiv do ta konfirmonte kredibilitetin e rrugës së tyre drejt BE-së dhe fuqimisht do t’u kundërshtohej aktorëve malinjë të jashtëm, të cilët dëshirojnë t’i minojnë vlerat e përbashkëta dhe bashkësinë euroatlantike”, thuhet në reagimin e Departamentit të Shtetit, pas vendimit të djeshëm të Këshillit të BE-së që ta anulojë fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Në kumtesë thuhet se SHBA-ja e përkrah përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në integrimin transatlantik dhe aspiratat e tyre për hyrje në Bashkimin Evropian dhe ka shfaqur shpresë se Këshilli Evropian do të arrijë konsensus për vendimin pozitiv për negociata me dy shtetet para samitit BE – Ballkani Perëndimor në maj të vitit të ardhshëm.

Departamenti i shtetit potencon se SHBA-ja do të mbetet partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë derisa ato punojnë në përforcimin e sundimit të së drejtës, ballafaqimin me korrupsionin, zhvillimin e ekonomive të tyre dhe luftën kundër krimit të organizuar.

“Ne i inkurajojmë të dy shtetet të mbeten fuqimisht në rrugën e ndërtimit të shoqërisë transparente, të drejtë dhe demokratike në pajtim me nevojat e qytetarëve të tyre. SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me partnerët evropianë që t’i avancojnë qëllimet e përbashkëta për stabilitet dhe siguri në Ballkanin perëndimor”, shtohet në kumtesën e Departamentit të Shtetit pas vendimit të djeshëm të liderëve të BE-së.