Negociatorët kryesorë tregtarë kinezë dhe amerikanë u takuan sot në ditën e dytë të diskutimeve para takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe zëvendëskryeministrit, Liu He duke rritur shpresat për një avancim në këtë çështje që ka ndikuar në rritjen ekonomike botërore.

Takimi mes presidentit amerikan dhe kreut të delegacionit kinez është parashikuar pasdite në Shtëpinë e Bardhë. Ai do të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Presidenti amerikan shfaqi sot optimizmin e tij për negociatat tregtare me Kinën, që po zhvillohen në kryeqytetin amerikan, duke përmendur një atmosferë të ngrohtë.

“Gjëra të mira po ndodhin në negociatat tregtare me Kinën”, theksoi presidenti amerikan në një mesazh në rrjetin social Twitter.

“Të gjithë dëshirojnë të shikojnë të ndodhë diçka e mirë”, shtoi ai.