Qindra filloristë në një shkollë fillore në Gostivar “Mustafa Kemal Ataturk” të shoqëruar nga mësimdhënësit e tyre dhe drejtori i shkollës, para 2 ditësh, para objektit të shkollës, kanë dërguar përshëndetje ushtarake drejt Turqisë. Në fotografinë e shpërndarë në Facebook në faqen e shkollës, shkruan se drejtori, së bashku me mësimdhënësit dhe nxënësit, nën flamurin turk, dërgojnë mbështetje ofensivës tej kufitare turke. Ky akt ngriti reagime të shumta në opinion publik.

Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari, tha se ky është akt i patolerueshëm. Ai shtoi se si komunë menjëherë kanë reaguar, por si kryetar komune nuk ka kompetenca në emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve nëpër shkolla, sepse përndryshe tha Taravari do të kishte ndërmarrë hapa për shkarkimin e drejtorit në fjalë.

“Është e pa tolerueshme që nëpër shkolla fëmijët të shfrytëzohen prej udhëheqësve të shkollave për çështje politike. Nuk flas vetëm për turqit, kjo vlen edhe për shqiptarët, maqedonasit, romët e kështu me radhë. Ne si Komunë e Gostivarit menjëherë reaguam, edhe se e dini se nuk kemi kompetenca në emërim të drejtorëve por shefja e Sektorit për arsim reagoi dhe ia tërhoqi vërejtjen drejtorit të shkollës Ataturk në Gostivar”, tha Arben Taravari.

Sot ka reaguar edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Nga ministria i dënojnë ashpër aktivitetet e tilla të organizuara në hapësirat e institucioneve arsimore-edukative, e sidomos në të cilat janë përfshirë nxënës, dhe që në këto aktivitete është dërguar mesazh politik për mbështetjen e aksioneve ushtarake të një shteti të caktuar.

“Politika është e papranueshme në procesin arsimor, sepse e pamundëson këtë proces që t’i arrijë qëllimet themelore për të cilat organizohet – përvetësimi i diturive cilësore dhe edukimi i nxënësve në përputhje me vlerat themelore shoqërore, njerëzore dhe normat morale etike. Ndaj, rregullativa ligjore gjithmonë ka ndaluar organizimin dhe veprimin politik në shkolla, dhe i sanksionon në mënyrë adekuate”, thuhet në reagimin e MASH.

Nga ministria shtojnë se ky veprim është absolutisht i papranueshëm dhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit do të veprojë në mënyrë adekuate dhe do të vendosë në përputhje me rrethanat e konstatuara gjatë mbikëqyrjes. Ka reaguar edhe Komiteti i Helsinkit, duke shtuar se dënojnë ashpër keqpërdorimin e fëmijëve për qëllime politike. Pas reagimeve të shumta në opinion, si duket kanë shtyrë që mbajtësit e faqes së shkollës në fjalë ta tërheqin fotografinë dhe mbishkrimin./TV21