Kalimi i pragut nga Nisma Socialdemokrate dhe AKR-ja mund të prishë matematikat në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi që nuk do të jenë më komod me numrat që i kanë. Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike për Bota Sot, ku sipas tyre, një radhitje opozitare do të krijojë më shumë numra në opozitë se në pozitë, marrë parasysh PDK-në, AAK-në, AKR-Nisma, Lista serbe por dhe minoritetet tjera që janë në parlament më lehtë do bashkëpunonin me këto parti se me LVV e LDK-në. Analisti politik Kushtrim Kadriu, ka thënë se, kalimi i pragut nga Nisma dhe AKR-ja do të prishë matematikat në mes të VV dhe LDK-së pasi që nuk do të jenë në komod me numrat që i kanë. Sipas tij, një radhitje opozitare do të krijojë më shumë numra në opozitë se në pozitë, marrë parasysh PDK-në, AAK-në, AKR-Nisma, Lista serbe por dhe minoritetet tjera që janë në parlament, më lehtë do bashkëpunonin me këto parti se me LVV e LDK-në. “Minoritetet më shumë përfaqësim do të marrin me këta të dytit që krijuan shumë ministri se me këta të VV e LDK, që po zvogëlojnë ministritë. Prandaj hyrja e partive të reja në Kuvend do të mundë ta qonte vendin ne zgjedhje të reja apo kriza të reja institucional”, ka thënë për Bota Sot analisti politik Kushtrim Kadriu. Ndryshe, analisti politik Imer Mushkolaj, ka thënë se situata e re, nuk do të duhej ta rrezikonte koalicionin VV dhe LDK. “Nuk ka asnjë arsye të rëndësishme që këto parti të mos merren vesh. Qytetarët kanë votuar që opozita ta krijojë qeverinë dhe kjo duhet të ndodh. Çdo përpjekje për përmbysjen e vullnetit qytetar është e rrezikshme”, ka thënë analisti politik Imer Mushkolaj. Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka pohuar se PDK ka bërë çdo gjë që përmes Thaçit që të bëjnë skenarin që NISMA të kalojë pragun. Sipas tij, Nisma Socialdemokrate do të provojë që bashkë me AAK të bindin LDK-në që mos të bëjë koalicion me VV, por me ta me kusht që LDK të ketë kryeministrin, kështu duke u munduar që të mbajnë ende në pushtet kapjen e shtetit, pasi janë njerëzit nga Nisma Socialdemokrate që janë brumi i Hashim Thaçit. “Nisma Socialdemokrate edhe nëse këtë skenar nuk mundet të realizojë do të mundohet në koalicionin LDK-VV për të marr hise, kështu që do i shpërblej edhe njerëzit e PDK-së me tenderë, për mos t’i lënë pa asgjë. E gjithë kjo është skenari i Hashimit, që si shpërblim po i jep Fatmirit ulëse në Kuvend, pasi e kishte detyruar të largohet, ku dihet mirë që ai nuk e kishte lejuar Fatmirin të bëhet kryetar i PDK-së, por Kadri Veselin. Kështu që politika tek ne është krejt intriga, shantazhe dhe favore e kundër favore. Nisma edhe nëse kalon pragun nuk duhet lejuar të futet në qeveri, pasi si parti klientelsite vetëm sa ka dëmtuar vendin dhe imazhin e saj”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti./BotaSot