Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Stevo Pendarovski sot ka deklaruar se, zyrtarisht nuk ka marrë njoftim nga presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev se do ta bllokojë procesin e marrjes së datës së Bashkimit Evropian (BE), transmeton Portalb.mk.

“Nuk ka asnjë paralajmërim nga faktorë relevantë të Bullgarisë, qoftë ai president, Qeveri, ministra kompetent për atë se, Bullgaria do ta bllokojë procesin gjatë mesit të muajit kur presim të marrim datë për negociata, kur e presim vendimin evropian më 15 dhe 17 tetor. Se si më tej, jo vetëm Bullgaria, por mundet që edhe Greqia nëpërmjet zbatimit të mëtutjeshëm të Marrëveshjes së Prespës, do të thirret në rrjedhën e negociatave të cilat zgjasin me vite. Do të shohim. Nga fillimi do të lexojmë dhe dëgjojmë atë çfarë e paralajmërohen si kornizë negociuese për këtë çështje, por përsëris, kjo është për periudhën që vijon, kur do t’i fillojmë negociatat”, tha Pendarovski në konferencën për media me presidentin malazez, Milo Gjukanoviq.

Kjo deklaratë e Pendarovskit vjen pasi që në vazhdimësi Radevi ka deklaruar se, “Nëse Komisioni i përbashkët për çështje arsimore-historike RMV-Bullgari s’ka zgjidhje, mbështetja ndaj RMV-së s’mund të jetë e pakushtëzuar”.

Nga ana tjetër, kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov ka apeluar te RMV-ja “që t’i japin fund lojërave me historinë, të kaluarën dhe të përqendrohen nga e ardhmja”.

Ndërkaq, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, duke komentuar këto qëndrime të zyrtarëve bullgar ka shprehur besimin e arritjes së një marrëveshjeje mes dy shteteve për çështjen kontestuese, dhe se më së paku pret që Bullgaria të jetë pengesë për datën e bisedimeve.