Presim ftesë të qartë për fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet BE-ja, si dhe për debatet për zgjerim, por secila vonesë e perspektivave evropiane në rajon nënkupton hapjen potenciale të hapësirës për aktorët tjerë, përfshirë edhe ato të sigurisë, të cilat nuk ofrojnë alternativa të qëndrueshme në BE dhe NATO.

Këtë sot e deklaroi presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin në debatin shkencor-profesional “Prioritete strategjike në siguri dhe mbrojtje të RMV-së pas anëtarësimit në NATO”, që u mbajt në Fakultetin e Sigurisë në Shkup me rastin e shqyrtimit të propozim Strategjisë për mbrojtje të vendit, që është lëndë e debatit para miratimit të tyre.

Pendarovski, theksoi se megjithatë, kjo më së shumti varet nga ne dhe nga rezultatet e reformave në vend para së gjithash në lidhje me sundimin e së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit të lartë.

Presidenti përkujtoi se vendi gjendet në një realitet të ri, ndërsa ai është anëtarësimi i ardhshëm në NATO.

“Depërtimi kyç strategjik që Maqedonia e Veriut e bëri në lidhje me sigurinë e saj është ftesa për anëtarësim në NATO në korrik të vitit 2018. Ky ishte hap historik dhe kthesë, i cili neve si shtet përfundimisht do të na pozicionojë në hartën botërore të sigurisë një herë e përgjithmonë”, theksoi Pendarovski.

Shefi i shtetit theksoi se në atë drejtim me rëndësi të madhe janë reformat në sektorin e sigurisë të cilat me vite ishin ndërprerë edhe gjatë një viti e gjysmë të kaluar janë dinamizuar.

“Pas ftesës për anëtarësim në Aleancë ne jemi në ujëra më të qetë por sfidat e sigurisë në rajon janë ende të pranishme. Terrorizmi, ekstremizmi fetar, sulmet kibernetike, fushatat e dezinformatave, luftërat hibride janë të pranishme dhe nuk do të zhduken shumë shpejtë. Mënyra më e mirë për menaxhim me këto kërcënime të cilat gjenden lartë edhe në agjendën e NATO-s është që t’i ndjekim informacionet dhe trendet dhe bashkë me anëtaret e tjera të Aleancës që të përballemi me ta”, tha ai.

Pendarovski theksoi se në të kaluarën e afërt kishim shembuj kur ishim cak i fushatave të sofistikuara hibride, të cilët dëshironin që ta rrezikojnë procesin demokratik dhe ta pengojnë vullnetin e qytetarëve, duke shtuar kërcënimet bashkëkohore hibride do të vazhdojnë të veprojnë përmes kufijve shtetërorë dhe për këtë është me rëndësi që bashkërisht të kundërshtojmë.

Dekani i Fakultetit të Sigurisë Nikolla Duovski tha se mbrojtja dhe siguria janë çështje aktuale kur gjithë rajoni i Evropës Juglindore përballet me sfida të rëndësishme, siç është terrorizmi, kërcënimet për emigrim ilegal …

Ai i ndau një plaketë presidentit Pendarovski për bashkëpunimin e deritanishëm të suksesshëm dhe mbështetjen, duke nënvizuar se ai është presidenti i parë pas 42 viteve i cili për herë të parë vjen në atë institucion.

Profesori Marjan Gjurovski, duke folur për propozimin Strategjinë për mbrojtje theksoi se ajo paraqet vlerësim të kërcënimeve dhe mundësive të tanishme dhe të ardhshme dhe se përmes saj paraqitet  e ardhmja politike e vendit dhe procesi i tyre integrues.

Sipas Gjurovskit, kur flitet për rreziqet e sigurisë, do të duhej të theksohet se përplasja e brendshme maqedonase ka ndikim ndaj nivelit të demokracisë në vend, sepse, siç tha, demokracia është viktimë e asaj përplasje të koncepteve që është shumë më i ashpër në krahasim me shtetet tjera të tranzicionit dhe reflekton sigurinë politike në vend.

Strategjia rrjedhëse për mbrojtje është sjellë në vitin 2010, ndërsa si rezultat i dinamikës së sigurisë, kërcënimet bashkëkohore të sigurisë dhe presionet, por edhe statusit të ndryshuar të vendit në korniza ndërkombëtare, është përgatitur draft Strategjia për mbrojtje e Maqedonisë së Veriut. 

Loading...