Vendim pozitiv do të ishte mirënjohja e merituar për rolin e deritanishëm të Maqedonisë së Veriut, si dhe në krijimin e politikës së fqinjësisë së mirë në Evropën Juglindore, ashtu edhe në proceset integruese evropiane, ku shteti i ynë e jep kontributin e vet, tha presidenti Stevo Pendarovski në takimin e sotëm me presidentin e Austrisë, Aleksander Van der Belen në Vjenë.

Presidenti federal Van der Belen, duke e riafirmuar përkrahjen austriake në proceset tona eurointegruese, theksoi se shteti i ynë meriton të marrë datë për fillim të negociatave aderuese.

Presidenti Pendarovski, siç kumton kabineti presidencial, në prag të shënimit të 25-vjetorit nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, u falënderua për përkrahjen e fuqishme që vendi në kontinuitet e merr nga Austria në procesin e saj eurointegrues dhe ka shprehur bindje se përkrahja do të vazhdojë.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut këtë javë e kanë pritur datën për fillim të negociatave aderuese”, theksoi presidenti Pendarovski, duke theksuar se për shtetin nuk ekziston alternativë tjetër.

Presidenti theksoi se stabiliteti i rajonit është i lidhur me proceset eurointegruese, duke theksuar se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe është po aq i rëndësishëm për projektin BE, si dhe vendet themeluese.

Gjatë takimit, siç informoi Kabineti presidencial, Pendarovski dhe Van der Belen kanë biseduar edhe për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik. Presidenti Pendarovski ka nënvizuar se Austria si investitor më i madh i huaj në vendin tonë me investime të prëgjithshme prej mbi 600 milionë euro, është partner i rëndësishëm tregtar i Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Austrisë, është paraparë që presidenti Pendarovski të realizojë takime edhe me kancelaren federale, Brigit Bierlejn dhe me kryetarin e Këshillit kombëtar të Kuvendit federal të Republikës së Austrisë, Volfgang Sobotka.