Bashkim Aliu

Zgjedhjet e 6 Tetorit në Republikën e Kosovës u ndoqën me ineteres nga shumë palë, edhe atë jo vetëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët kanë të drejtë vote, por edhe nga shqiptarët gjithandej në trojet etnike. Normalisht, pjesa më e madhe e shqiptarëve i ndoqën me interes për shkak të dëshirës që vëllezërit e gjakut në Republikën e Kosovës të përjetojnë ditë më të mira dhe në krye të vendit të ulen njerëz të përgjegjshëm të cilët do ta kenë gajlen e shtetit dhe popullit, e jo të pushtetit dhe të klaneve të veta. Megjithatë, një pjesë e shqiptarëve, konkretisht ata të cilët manevrojnë në skenën politike gjithandej në trojet shqiptare, po ashtu i ndoqën me interes këto zgjedhje, jo vetëm për atë se kemi të bëjmë me vëllezër të gjakut, por edhe për atë se efekti i zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, gjithqysh, do të reflektohet edhe në trojet tjera shqiptare, në veçanti në Shqipëri dhe në skenën politike të shqiptarëve në RMV. Partitë në pushtet në këto vende, nuk është larg mendjes që ta kenë dëshiruar fitoren e partive udhëheqëse deri më tani, ndoshta jo aq për dashurinë dhe miqësinë me liderët e tyre, sa për dertin që ia kanë vetit, nga efekti domino në rast se fiton opozita. Nga ana tjetër, partitë opozitare në këto vende, po ashtu nuk është larg mendjes që ta kenë dëshiruar fitoren e opozitës, jo aq tepër nga dashuria dhe lidhjet personale me liderët e opozitës, sa nga dëshira që era e ndryshimeve të fryej edhe në këto anë, dhe partite në pushtet, edhe në këto copa të trojeve shqiptare, të kalojnë në opozitë.

Shiquar në përgjithësi, zgjedhjet në Republikën e Kosovës dhanë një mesazh të qartë, si për nevojën e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor sipas ligjeve dhe larg banditizmit partiak, politik dhe institucional, po ashtu edhe për nevojën e ngritjes së zërit permes formave legjitime, në këtë rast përmes votës, kundër të keqes nga njëra anë, dhe ndëshkimit të kamufluesve të korrupsionit, nepotizmit dhe abuzimit me pushtetin, e duke ambalazhuar gjithë këtë me parulla dhe sllogane patriotike dhe sakrifikuese për atdheun, nga ana tjetër.

Flower

Fitoren e opozitës në zgjedhjet e fundit parlamentare në Republikën e Kosovës, nuk e shoh në prizmin e bindjeve superlative për lidershipin aktual që i fitoi zgjedhjet dhe as në këndin e mbështetjes së filozofisë politike të ndonjërit nga liderët që fituan më shumë vota në këto zgjedhje, ngase në të kundërtën, kam bindjen se në Republikën e Kosovës ka shumë njerëz të dinjitetshëm dhe të aftë, me taban të forte moral, kombëtar dhe fetar, si dhe me kapacitete të larta profesionale për ta udhëhequr vendin, por që, ja, janë jashtë parlamentit  dhe  qeverisë. Mirëpo, fitoren e opizitës e shoh nga këndi i mllefit të sovranit ndaj dështimit, abuzimit, kurrupsionit, mosfunksionimit të shtetit ligjor, mundësive jo të barabarta si rezultat i kapjes së shtetit, bajraktarizmit fisnor e zonal, klanor dhe partiak edhe në shekullin XXI, luftës së një grykësi të pangopur për pushtet dhe rrjepje të të mirave materiale të vendit për shkak pozitës, zhvatjes dhe republikës së logjikës së komandantëve, edhe në qofshin analfabetë politikë. Populli i ndëshkoi me votë duke u dhënë mesazh se pallavrat e patriotizmit virtual dhe nacional-romantizmit nuk kalojnë aq lehtë në kohën e gjeneratave digjitale.

Sovrani u mbajti leksion se nuk mund të shesin teza të skaduara për ta blerë qëndrimin në pushtet dhe për të siguruar fitore, e cila u takon subjekteve politike dhe liderëve të cilët kanë performance tjera, e jo logjikë gjoksi. Në fakt, nuk është i paktë numri i atyre vrapuesve në skenën politike të  Republikës së Kosovës dhe në trojet tjera shqiptare, të cilët nuk ofrojnë programe politike të përpunuara mirë, dhe aq më pak tregojnë vullnet për zbatimin e tyre, por mundohen që lavdinë e tyre ta ndërtojnë mbi sharjen dhe fyerjen e tjetrit, pa mos treguar konkretisht çka ata ofrojnë. Po ashtu, nuk janë të paktë as ata që, fitoren mundohen ta rrëmbejnë jo në sajë të programit politik dhe vizionit për zhvillimin e vendit, por permes reciklimit të tezave të skaduara të mendësisë moniste për rrezikun e fesë, ushtrimit të fesë me dhunë, pyetjes a kombi a feja, shamija në shkolla a përbën shkelje të të drejtave të femrës etj. Tezat e këtilla i përdorin për konsum politik apo elektoral ditor gërmadhat ideologjike dhe dështakët politik, të cilët në mungesë të programeve kreative, kapen për fije kashte. Megjithatë, nuk u vajti mbroth dhe as që ngelën zulmëmadh, edhe përskaj kakofonisë së bezdisshme, ngase populli nuk i gëlltit pallavrat e shpërnguljes për në Turqi në kontekst të agjendës politike, që kërkon analizë dhe studim të thellë dhe objektiv të shkaqeve dhe faktorëve, karshi dyndjes së shtresës më të këndellur të popullit, rinisë, e cila para syve tanë po ia mësynë perëndimit në kërkim të asaj që e bën të dinjitetshëm, me çka ngelet të shprazta ulëset nëpër mësonjtore. Kjo, pasi në atdheun e tyre, ku sundojnë “patriotët” e flaktë të atdheut, e jo pashatë e agallarët, apo sadriazemat osman, nënçmohen, shantazhohen, margjinalizohen dhe privohen nga mundësitë e barabarta me tjerët, ngase aty, nga do “komandantë” analfabet  politik, avansohen djemtë e hallës dhe të tezes, kushdo qofshin, bile edhe nëse kanë vetëm tetëvjeçare.  Si rezultat i dështimit të këtyre vrapuesve në skenën politike shqiptare gjithandej në trojet shqiptare, rinia kërkon medet  në Perëndim. Dikush mund të belbëzojë se e kemi zanat gurbetin, por kjo nuk e mbulon gjithë të vërtetën për këtë që ndodh. Kjo, ngase nuk është në pyetje vetëm dëshira për të vozitur një AMG apo X6, por çështja ka të bëjë me dinjitetin njerëzor. Sipas një studimi të Institutit për Demokraci në Maqedoninë e Veriut, si dhe anketave të disa subjekteve në Republikën e Kosovës, largimi i rinisë në Perëndim, në rend të parë, ndodh për shkak mosfunksionimit të shtetit ligjor dhe partizimit e korrupsionit të gjyqësorit, e në rend të dytë, për shkak gjendjes financiare. Para këtyre fakteve, nuk ka vend për justifikime të shtrembëruara për ta lehtësuar veten, por kërkohet veprim. Nuk mund ta ushqesh popullin me patriotizëm për t’ia rrëmbyer votën e të qëndrosh në pushtet, ndërkaq ti e stërmbush administratën me punësime të panevojshme të militantëve partiakë apo të kushërinjve dhe shokëve, ia rrit rrogën vetes, ndërkaq i len tjerët të luftojnë me bukën e gojës, hap zyra për këshilltarë fiktiv të cilët thjesht vetëm e ngarkojnë buxhetin dhe nuk kryejnë asnji punë, e len gjyqësorin në gjendje të mjerueshme, i frikëson prokurorët dhe gjykatësit, etj., dhe në fund, krejt këtë ia gjuan Turqisë, ajo na paska faj. Njerëzit që po sillen në skenën politike në trojet shqiptare, duhet të zbresin në tokë, e mos të ngelen të ndarë nga përditshmëria e popullit, në botën e  pushtetit, të jetojnë jetë reale, e jo virtuale, të kapen për problemet  që e tangojnë popullin, e jo të merren me reciklime të tezave të skaduara dhe të pa vërtetuara historike. Thënë shkurt, duhet t’i përveshin krahët dhe t’i qasen punës si duhet. Populli do t’u kërkojë hak, pasi u ka dhënë votë.

Zëri i sovranit duhet të ngritet gjithandej në trojet shqiptare, dhe duhet t’u bëhet qartë me dije atyre që sillen në skenën politike në trojet shqiptare se populli kërkon punë dhe prêt rezultate, ngase edhe shtrenjtimi i karburanteve nuk do ta ndalë kolonën e gjatë të autobusave të stërmbushur me rininë shqiptare me destinacion perëndimin.

Loading...