Ish-sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James Mattis, i cilësuar si “Qeni i Tërbuar” nga bashkëluftëtarët e tij, ironizoi presidentin Donald Trump ndërsa foli në një darkë bamirësie në Nju-Jork.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi presidenti amerikan e cilësoi atë si “gjeneralin më të mbivlerësuar në botë”.

“Nuk jam thjesht një gjeneral i mbivlerësuar por jam gjenerali më i mbivlerësuar në botë. Është një nder për mua që konsiderohem kështu nga Donald Trump pasi ai ka quajtur edhe aktoren Meril Strip të mbivlerësuar, pra mund të them se unë jam Meril Stripi i gjeneralëve dhe të them të drejtën kjo më duket goxha mirë. Por të paktën duhet ta pranojmë se unë dhe Meril kemi arritur disa fitore. Ju më pyetët nëse më shqetëson fakti nëse Donald Trump më konsideron ën këtë mënyrë . Padyshim që jo sepse të paktën unë i kam fituar medaljet e mia në fushën e betejës ndërsa Donald Trump i ka marrë nëpërmjet një letre nga mjeku” tha Mattis.

Trump lëshoi akuza ndaj ish sekretarit të tij të mbrojtjes të mërkurën gjatë një takimi të tensionuar të Shtëpisë së Bardhë me anëtarët e Kongresit. Takimi kishte për qëllim të ishte një diskutim dypalësh i vendimit të Trump për tërheqjen e forcave amerikane nga Siria veriore, por përfundoi në një debat të ashpër midis Trump dhe Kryetares së Kongresit, Nancy Pelosi.

Mattis kishte argumentuar si sekretar i Mbrojtjes se trupat amerikane ishin të nevojshme në Siri për të parandaluar një ringjallje të luftëtarëve të Shtetit Islamik. Trump tha se Mattis ishte “gjenerali më i mbivlerësuar në botë. E dini pse? Ai nuk ishte mjaft i ashpër”. “Unë kam kapur ISIS” shtoi Trump.

Mattis dha dorëheqjen dhjetorin e kaluar pasi Trump tha se kishte ndërmend të tërhiqte 2000 trupa amerikane nga Siria. Në letrën e tij të dorëheqjes, gjenerali i tha Trump se kishte “të drejtën për të patur një sekretar të mbrojtjes, pikëpamjet e të cilit përputhen më mirë me tuajat”.

Që nga ajo kohë, ai nuk ka pranuar të kritikojë publikisht administratën, duke thënë se i ka borxh komandantit të përgjithshëm “detyrën e heshtjes”. Por Trump e theu këtë pakt siç ka bërë me pjesën më të madhe të personave që kanë punuar për të duke i shpallur të paaftë.

Loading...