Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se subjekti që ai përfaqëson ka vendosur standard ndaj bashkëpunimit me LVV-në.

Haziri thotë nga Facebook, se cilido kandidat i këtyre dy subjekteve që ka një votë më shumë – ai do ta udhëheq qeverinë, njofton Klan Kosova.

”Në Kosovë ka fitu opozita, jo individi e as grupi politik. Nëse e bëjmë një përkufizim, i bie që qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshim dhe ia kanë besu LDK’së dhe LVV’së këtë rezultat.

Fitues të vegjël janë LDK dhe LVV. Ne po e presim rezultatin final të zgjedhjeve sepse votat nuk janë numëruar deri në fund.

Cilado parti që del fituese, duhet të sillen përgjegjshëm dhe kokëulur karshi këtij rezultati sepse njerëzit kanë votuar për ndryshim. Nuk kanë votuar as për individin e as për partinë politike.

LDK ka vendosur standardin, cilido që e ka një votë më shumë, ai e udhëheq qeverinë!”.

Komente të ngjashme Lutfi Haziri pati bërë edhe ditë më parë në Analiza Zgjedhore të Klan Kosovës.

”Votat duhet të zbardhen deri në fund, por kjo se pengon procesin e bashkëpunimit”.

”Kemi thënë që ai që fiton një votë më shumë udhëheq me Qeverinë. Nëse i takon LDK-së ne se diskutojmë këtë çështje”.

”Duhet të largojmë çdo lloj dyshimi apo çdo lloj tendence”, ishte shprehur ai.