Pikërisht kur Albin Kurti ka fituar për herë të parë zgjedhjet parlamentare, duke e renditur Vetëvendosjen forcën e parë politike në vend, në zyrë i ka shkuar njeriu i parë i Amerikës në Prishtinë. Kështu Kosnett ka riparuar pak raportet e komplikuara të Kurtit me amerikanët, por me këtë vizitë ka dërguar edhe një mesazh, s’ka pranuar të fotografohet në zyrë ku Albin Kurti e mban flamurin kuq e zi, që është flamur zyrtar i Republikës së Shqipërisë.

Format e protestës dhe dhuna që kishte përdorur Lëvizja Vetëvendosje përgjatë viteve si kundërshti ndaj proceseve nëpër të cilat po kalonte Kosova, kishin bërë raportet e partisë që drejtohet nga Albin Kurti të jenë të acaruara me ambasadat e shteteve të huaja në Kosovë e veçanërisht me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky acarim ndërmjet Vetëvendosjes dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte kulmuar me incidentin e vitit 2013 kur partia e Kurtit kishte kundërshtuar miratimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përgjatë kësaj proteste aktivistë të VV’së kishin bllokuar hyrjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke ia vështirësuar kështu hyrjen në Kuvend, ambasadores së atëhershme të SHBA’së, Tracy Jacobson, e cila kishte marrë një ftesë zyrtare për të qenë e pranishme në seancë.

Gjatë asaj tollovie dhe përpjekjeve për të hyrë në Kuvend, ish-ambasadorja Jacobson kishte mbetur e gërvishtur në krahë.

Ndërkohë më pas vetë Jacobson më pas kishte publikuar një fotografi në të cilën shihej krahu i saj i lënduar.

Ky raport jo i mirë me Jacobson kishte vazhduar edhe pas këtij incidenti, derisa krerët e Vetëvendosjes vazhdonin të mos e respektonin atë. Në një organizim të presidentes Jahjgaga në korrik të vitit 2013 për nderë të ardhjes së guvernatorit nga Iowa, Terry Branstad, Kurti e Visa Ymeri kishin lëshuar sallën ku ishte organizuar pritja dhe madje nuk e kishin përshëndetur fare Jacobsonin.

Ndërkohë këto raporte kishin filluar të përmirësohen pas ardhjes së tashmë ish-ambasadorit, Greg Delawie.

Kreu i VV’së dhe Delaëie ishin takuar dy herë, megjithatë takimet asnjëherë nuk kishin ndodhur në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje. Një herë ishin takuar pas zgjedhjeve të 11 qershorit të 2017-ës ku kishin diskutuar për krijimin e një qeverie të re, dhe më pas Kurti ishte pritur në Ambasadën e SHBA’së në Prishtinë gjatë qershorit të vitit 2018 bashkë me Glauk Konjufcën.

Por, historia e raporteve të komplikuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të kundërshtimeve të ashpëra që ka pasur kjo organizatë për procese të ndryshme politike në vend, nuk përfundon këtu.

Ambasadori Christopher Dell në zgjedhjet e vitit 2010, kur kishte shkuar për t’i mbështetur zyrtarët e partisë së re FER që sapo kishin hyrë në politikë, kishte thënë haptas se nuk do të shkojë në Vetëvendosje.

Por amerikanët si kishin shkëputur të gjitha kontaktet me VV’në. Në vitin 2011 vet Hill kishte marrë pjesë në një takim me Thomas Countryman zyrtar në State Departament që ishte organizuar në Prishtinë me Albin Kurtin dhe Visar Ymerin, por takimi ishte mbajtur në terren ‘neutral’ diku në Prishtinë. Më pas në vitin 2013 Kurtit i ishte dhënë viza amerikane për të udhëtuar atje bashkë me Shpend Ahmetin. Të dy zyrtarët e VV’së kishin pasur një debat në Universitetun Johns Hopkins. Por, Incidenti me ambasadoren Tracey Ann Jacobson nuk ishte harruar lehtë.

Pak ditë pas “gërvishtjes diplomatike” në Prishtinë kishte qëndruar Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan Philip T. Reeker që tani mban një post më të lartë në State Departament. Reeker kishte denoncuar publikisht dhe me fjalë të rënda lëvizjen Vetëvendosje.

“Palaçot që dojnë të luajnë dhe të jenë të dhunshëm duhet të mendojnë dy herë se çfarë po i bëjnë pjesës tjetër të vendit… Kjo sjellje nihiliste është e papranueshme në shekullin e 21 në Evropë dhe në rajon. Kjo porosi është shumë e qartë.” kishte thënë ai.

Pas gjithë këtyre zhvillimeve ndër vite, vizita e e sotme e Kosnett në selinë e partisë më të madhe vjen pas përfundimit të zgjedhjeve të reja të 6 tetorit dhe pas përfundimit të numërimit të votave, të cilat e nxjerrin Vetëvendosjen të parën dhe me shumë gjasë, Albin Kurtin, kryeministër të ri të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të lëshuar nga partia e Kurtit, në këtë takim Kurti-Kosnett është diskutuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, derisa kreu i VV’së ka garantuar ambasadorin amerikan se do të jetë kryeministër i të gjithë Kosovës. Temë tjetër e rëndësishëm nga ky takim ka qenë edhe dialogu për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Loading...