Gazetari saudit Jamal Khashoggi është përkujtuar nëpërmjet një aktiviteti të organizuar me rastin e përvjetorit të parë të vrasjes së tij në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e zhvilluar përpara Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll, morën pjesë personalitete të ndryshme.

E fejuara e Khashoggit, Hatice Cengiz, në fjalimin e saj me rastin e programit, duke përkujtuar se para një viti kanë ardhur në Konsullatën saudite tha se “Si sot një vit më parë isha këtu”.

Ajo potencoi se do të vazhdojë kërkimin e drejtësisë për të fejuarin e saj.

“Të gjithë që ndodhen këtu, e dinë se Jamali është një gazetar, shkrimtar, aktivist dhe një shok i mirë, por sipas meje ishte më shumë se kjo. Ai ishte shoku im më i mirë”, u shpreh ajo.

Cengiz gjithashtu shtoi se Khashoggi gjatë gjithë jetës së tij në plan të parë ka patur interesat e vendit të tij.

– “Drejtësia patjetër duhet të vijë”

Raportuesja e Posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ekzekutimet Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, Agnes Callamard, nga ana e saj tha se vrasja duhet të ndriçohet ndërsa fajtorët të ndëshkohen.

Ajo tha se sot duhet të ndriçojnë errësirat dhe të luftojnë që të mos ketë errësira.

“Drejtësia patjetër duhet të vijë”, theksoi Callamard.

“Nuk do të ndalemi derisa nuk marrim rezultat. Asnjëherë nuk do ta lëmë vet. Ashtu si nuk do ta lëmë vetë atë, edhe gazetarët e burgosur në botë nuk do t’i lëmë vet. Kërkojmë drejtësi për to. Jemi të detyruar të sigurojmë dhe mbrojmë lirinë e shprehjes së të gjithë gazetarëve”, potencoi më tej raportuesja e OKB-së.

– Edhe Bezos ishte pjesëmarrës në aktivitet

Themeluesi i kompanisë Amazon dhe pronari i Washington Post, Jeff Bezos, ishte gjithashtu në mesin e pjesëmarrësve të aktivitetit.

Ai në fjalimin e tij drejtuar të fejuarës së Jamal Khashoggit, Hatice Cengizit, tha se Cengiz është një grua e fuqishme.

“Ti, në këtë ngjarje të paimagjinueshme, këtu pranë konsullatës Jamalin e prite me durim dhe dashuri me orë të gjata. Por, ai asnjëherë nuk doli jashtë. Duhet ta dish se ne jemi këtu dhe jemi me ty. Ti je në zemrat tona”, theksoi Bezos.

Ndërsa lauratja e Çmimit Nobel për Paqe, aktivistja jemenase, Tawakkol Karman, tha se Arabia Saudite e cila ka vrarë Khashoggin, çdo ditë me të njëjtin barbarizëm i vret njerëzit e vendit të saj dhe e mohon këtë.

Ajo pohoi se në rast të mos ndëshkimit të vrasësve të Khashoggit, kjo do të përgatiste terrenin për vrasjet që mund të ndodhin në të ardhmen.

“Në rast se nuk ndëshkohet kjo vrasje edhe opozitarët do të vazhdojë t’i vrasë në të njëjtën mënyrë”, tha Karman.

Në ceremoninë përkujtimore fjalime mbajtën edhe personalitete të ndryshme.

Pas fjalimeve pjesëmarrësit e bënë hapjen e monumentit për nder të Khashoggit, në zonën përballë Konsullatës saudite në Stamboll./AA?