Sot në Tetovë janë inauguruar hapësirat e reja të paraleleve për fëmijë me nevoja të veçanta në shkollën fillore Liria në Tetovë. Ndërtimi i paraleleve është një donacion i Kompanisë Ecolog International.

Biznesemni dhe donatori i këtij projekti, Lazim Destani tha se donacioni në arsim, në shkolla dhe në dije, mua më gëzon shumë.

Sot jemi mbledhur këtu për të përuruar hapësirat e reja shtesë të shkollës Liria. Ne kemi pasur shumë donacione të ndryshme, mirëpo donacioni në arsim, në shkolla dhe në dije, mua më gëzon shumë. Të gjithë e dimë se çelësi i një shoqërie është arsimi, dija dhe shkollimi. Pra, u dëshiroj nxënësve, të cilët do të mësojnë në këto hapësira të reja të shkollës, të kenë suksese. Po ashtu, edhe mësimdhënësve u dëshiroj që nga kjo shkollë të dalin profile të suksesshme që i duhen shoqërisë sonë”, u shpreh Lazim Desani.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi tha se sado që kompania Ecolog është një kompani globale, megjithatë asnjëherë nuk ka harruar dhe anashkaluar investimet në vendlindje.

Bëhet fjalë për një kompani e cila ka karakter global, e cila mendon dhe vepron globalisht, por në të njëjtën kohë, mendon dhe vepron lokalisht. Kjo është një kulturë, sepse sado që të jemi të mëdhenj në suksesin tonë, megjithatë shpirti mbetet me vendin tonë dhe kjo flet shumë, prandaj edhe dëshiroj që të falënderoj zotin Destani dhe Ecolog për këtë donacion”, tha Arifi. Sipas saj, fëmijët me nevoja të veçanta kanë nevojë për këtë lloj përkujdesje. “Kanë nevojë për mundësinë që të jenë të integruar dhe prandaj kjo vlerë, të cilën e ndajmë sot bashkërisht, le t`iu shërbejë atyre dhe gjeneratave të reja të cilët do të arrijnë të mësojnë më shumë, të dinë më shumë, por dua të falënderoj edhe ata që punojnë me këta fëmijë, sepse kjo nuk është një punë e lehtë, kërkon angazhim shtesë prandaj edhe ne jemi të përkushtuar ndaj tyre”, tha kryetarja Arifi./TS/